Presidenti rus Vladimir Putin, tha të premten se është punë për Rusinë nëse vendos të përdorë apo jo trupat e Koresë së Veriut, ndërsa theksoi se nëse Ukraina dëshiron të anëtarësohet në NATO, atëherë Moska mund të bëjë çfarëdo që dëshiron për të garantuar sigurinë e saj.
Shtetet e Bashkuara thanë të mërkurën se kishin parë prova se Koreja e Veriut ka dërguar 3,000 trupa në Rusi për përfshirje të mundshme në Ukrainë, një lëvizje që Perëndimi po e konsideron si një përshkallëzim të mundshëm të luftës në Ukrainë.
Shërbimi i zbulimit ushtarak të Ukrainës tha se njësitë e para të Koresë së Veriut të trajnuara në Rusi ishin vendosur në rajonin Kursk, një zonë kufitare ruse pjesë të së cilës u morën nga forcat ukrainase në muajin gusht.
“Kur duhet të vendosim diçka, ne do të vendosim… por është vendimi ynë sovran nëse do ta zbatojmë, nëse jo, nëse na duhet”, tha Presidenti Putin për televizionin shtetëror rus. “Kjo është puna për ne”, shtoi ai.
Ai tha se Perëndimi vazhdimisht thotë se është punë e Ukrainës së si do të vendos për sigurinë e saj, “me ose pa NATO-n”.
“Sa më shpejt ta kuptojnë kotësinë e një qasjeje të tillë në marrëdhëniet me Rusinë, aq më mirë do të jetë për të gjithë dhe ndoshta, mbi të gjitha, për veten e tyre”, tha Presidenti Putin.
Udhëheqësi rus Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, nënshkruan një marrëveshje gjithëpërfshirëse të partneritetit strategjik gjatë vizitës së Putinit në Phenian në muajin qershor.
Neni 4 i marrëveshjes thotë që “nëse njëra nga palët i nënshtrohet një sulmi të armatosur nga një shtet ose disa shtete dhe ndodhet në gjendje lufte, pala tjetër do të ofrojë menjëherë ndihmë ushtarake dhe ndihmë tjetër me të gjitha mjetet e saj”.
Putini të enjten nuk i mohoi pretendimet e SHBA-së se Koreja e Veriut kishte dërguar trupa në Rusi, por tha se i takon Moskës se si ta zbatojë marrëveshjen e mbrojtjes së ndërsjellë me Phenianin, ndërsa akuzoi Perëndimin për përshkallëzim të luftës në Ukrainë./VOA