Presidenti rus Vladimir Putin i ka dhënë shtetësinë ruse aktorit Gerard Depardieu, që së fundmi ka tërhequr vëmendjen e mediave nga e gjithë bota. 

Depardieu kishte kërcënuar se do të hiqte dorë nga pasaporta franceze në shenjë proteste ndaj rritjes së taksave në Francë, me kërkesë të presidentit Hollande. 

Lajmin për dhënien e shtetësisë ruse e ka bërë të ditur vetë zyra e Kremlinit, përmes një komunikate për shtyp. 

Më 30 dhjetor Gerard Depardieu kishte deklaruar se vendimi i Këshillit Kushtetues francez për të rrëzuar supertaksën ndaj të pasurve nuk ndryshonte asgjë ndaj vendimit të tij për të jetuar jashtë Francës. 

Ylli i kinemasë njoftoi gjithashtu se do ta marrë pasaportën ruse në një takim me presidentin Vladimir Putin dhe kryeministrin Dmitry Medvedev më 6 janar, në Moskë. 

Në fund të vitit, vetë Putin ishte shprehur i gatshëm t’i jepte shtetësinë aktorit francez, që ishte rebeluar ndaj synimeve të qeverisë për të taksuar 75 për qind të pasurit.