Presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia është e gatshme të përdorë armë bërthamore nëse ekziston një kërcënim për shtetësinë, sovranitetin ose pavarësinë e saj, duke thënë se ka shpresa se SHBA-të do të përmbahen nga veprimet që mund të shkaktojnë një konflikt bërthamor.

Deklarata e Putin ishte një tjetër paralajmërim i hapur për Perëndimin, përpara një votimi presidencial këtë javë, në të cilin ai është i sigurt se do të fitojë një mandat tjetër gjashtëvjeçar.

Në një intervistë me televizionin shtetëror rus të lëshuar herët të mërkurën, Putin e përshkroi Presidentin e SHBA Joe Biden si një politikan veteran, që kupton plotësisht rreziqet e mundshme të përshkallëzimit dhe tha se ai nuk mendon se bota po shkon drejt një lufte bërthamore.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se forcat bërthamore të Rusisë janë në gatishmëri të plotë dhe ‘nga pikëpamja ushtarako-teknike, ne jemi të përgatitur’.

Putin tha se në përputhje me doktrinën e sigurisë së vendit, Moska është e gatshme të përdorë armë bërthamore në rast të një kërcënimi për “ekzistencën e shtetit rus, sovranitetin dhe pavarësinë e Rusisë”.

Udhëheqësi rus ka folur në mënyrë të përsëritur për gatishmërinë e tij për të përdorur armë bërthamore që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022.