Rusi, 10 prill 2014 – Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar liderët evropianë se vonesa e Ukrainës në pagimin e gazit rus ka krijuar një “situatë kritike”. Tubacionet tranzit në Ukrainë çojnë gazin rus në vende të ndryshme të BE-së dhe ekziston frika se tensionet aktuale mund të çojnë në shkurtimin e furnizimeve të gazit. Kompania shtetërore ruse e gazit “Gazprom” deklaron se borxhi i Ukrainës për furnizimet me gaz ka shkuar mbi 2 miliardë dollarë, ose 1.4 miliardë euro. Në një letër dërguar liderëve evropianë, presidenti Putin paralajmëroi se “situata kritike” mund të ndikojë në dërgimin e gazit në Evropë, bëri të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Sipas zëdhënësit, zoti Putin sugjeroi marrjen e masave “speciale” pa u menduar shumë. Pothuajse një e treta e gazit natyror në Bashkimin Evropian vjen nga Rusia. Përplasjet e mëhershme për gazin mes Moskës dhe Kievit kanë çuar në ndërprerje të theksuara furnizimi për vende të ndryshme të BE-së. Vetë Unioni deklaron se ka rezerva gazi dhe teknologjinë e duhur për t’u përballur me një ndërprerje të mundshme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





