Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të hënën se kundërofensiva e Ukrainës, që zgjat prej 3 muajsh, ka dështuar.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Soçi me homologun e tij turk Rexhep Taip Erdogan, ai iu përgjigj kështu një pyetjeje mbi situatën në terren në Ukrainë: “Kundërofensiva ukrainase nuk ka ngecur, por ka dështuar. Të paktën kështu duket sot për sot. Të shohim se çfarë do të ndodhë më tej. Shpresoj që dështimet e tyre të vijojnë”.

Putin shtoi se Rusia kurrë nuk i ka refuzuar bisedimet e paqes me Ukrainën, duke thënë se këtë gjë ia ka konfirmuar edhe Erdoganit: “Dua të nënvizoj se Rusia nuk i ka refuzuar kurrë bisedimet e paqes me Ukrainën. Dhe as tani nuk i refuzojmë. Zoti President (duke iu referuar Erdoganit) e ka ngritur çështjen gjatë takimit tonë të sotëm dhe unë ia kam konfirmuar këtë”.

Që kur nisi kundërofensiva falë miliardave dhe pajisjeve ushtarake të Perëndimit, Ukraina ka mundur të rimarrë vetëm disa fshatra, pa mundur dot të depërtojë në linjat e mbrojtjes së Rusisë.