Qeveria ruse do të mblidhet së shpejti për të diskutuar pezullimin e eksporteve të gazit natyror në Evropë.

Presidenti rus Vladimir Putin u shpreh se Rusia tani mund të ndalojë furnizimet për shkak të një rritjeje të ndjeshme të çmimeve të shkaktuar nga kriza e Iranit.

Ai e lidhi vendimin e mundshëm – të cilin tha se nuk ishte marrë ende – me dëshirën e Bashkimit Evropian për të ndaluar blerjet e gazit natyror rus dhe gazit natyror të lëngshëm.

Lajmin e konfirmoi sot (5 mars), edhe zëvendëskryeministri Alexander Novak.

“Do të takohemi së shpejti, sipas udhëzimeve të Presidentit, për të diskutuar situatën aktuale me kompanitë e energjisë dhe rrugët e mundshme të transportit për furnizimet tona me energji”, u tha gazetarëve Novak, i cili është njeriu i energjisë i Putinit.

“Do ta diskutojmë këtë çështje së shpejti me kompanitë tona të energjisë dhe do të shohim se si t’i përdorim burimet tona në mënyrë më fitimprurëse”, shtoi Novak.

Shitjet e gazit rus në Evropë kanë rënë ndjeshëm që nga viti 2022 për shkak të sanksioneve që lidhen me luftën në Ukrainë.

Megjithatë, Rusia është furnizuesi i dytë më i madh i gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Bashkimin Evropian dhe gjithashtu shet gaz përmes tubacionit nënujor TurkStream në Detin e Zi, në vende si Hungaria, Sllovakia dhe Serbia.

Novak tha se gazi natyror rus tani mbulon 12% të furnizimeve të Evropës.