Autoritetet në qytetin e Moskës po ofrojnë një shumë marramendëse për rekrutë të rinj të cilët duhet të luftojnë kundër Ukrainës, një përpjekje kjo për të rritur numrin e trupave ruse.
Kjo ofertë tunduese vjen ndërsa presidenti Vladimir Putin përpiqet të rekrutojë ushtarë për ushtrinë e tij, ndërsa pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia po vazhdon në vitin e tretë.
Kryebashkiaku i Moskës Sergey Sobyanin prezantoi shumën prej 1.9 milionë rubla (rreth 22,000 dollarë) për banorët e qytetit që i bashkohen ushtrisë, sipas një deklarate të martën.
Kushdo që pranon ofertën do të fitonte deri në 5.2 milionë rubla (59,600 dollarë) në vitin e parë të shërbimit, shtohet në deklaratë.
Ata që dëshirojnë t’i bashkohen luftës në Ukrainë dhe do të plagosen do të marrin plus 5,690-11,390 dollarë për lëndimet “në varësi të ashpërsisë, ndërsa familja e një ushtari të vrarë në aksion mund të paguhet deri në 34,150 dollarë.
Ndërsa numri i viktimave të Rusisë mbetet ende i fshehtë, vlerësimet thonë se numri i të vdekurve midis trupave është i lartë. Më shumë se 70,000 ushtarë ka të ngjarë të jenë vrarë ose plagosur vetëm në maj dhe qershor, tha ministria e mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në një përditësim më 12 korrik, pasi ushtria ruse u përball me humbje të mëdha në një front të ri në rajonin e Kharkiv.
Vlerësohet se Rusia ka humbur 87% të trupave tokësore në detyrë aktive që kishte përpara se të fillonte pushtimin e saj në Ukrainë dhe dy të tretat e tankeve të saj para pushtimit, tha për CNN një burim i njohur me një vlerësim të deklasifikuar të inteligjencës amerikane, në dhjetor të vitit të kaluar.