Presidenti rus Vladimir Putin në javët e ardhshme do të vizitojë Korenë e Veriut dhe Vietnamin, sipas burimeve diplomatike.

Vizita e fundit e Putinit në Korenë e Veriut ishte në vitin 2000, gjatë vitit të parë të presidencës së tij.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un vizitoi Rusinë në shtator për bisedime me Putinin, kur presidenti rus gjithashtu u zotua të ndihmojë Korenë e Veriut në ndërtimin e satelitëve.

Kremlini ka thënë se Rusia dëshiron të ndërtojë një partneritet me Korenë e Veriut “në të gjitha fushat”, por ende nuk ka konfirmuar datën e vizitës së tij në vend.

Rusia ka forcuar lidhjet e saj me Korenë e Veriut dhe vende të tjera armiqësore ndaj SHBA-së, si Irani, që nga fillimi i luftës me Ukrainën.

Vendi po përballet me mungesa akute të fuqisë punëtore për shkak të luftës në Ukrainë, pasi qindra mijëra rusë ose kanë shkuar në front ose kanë ikur jashtë vendit për të shmangur rekrutimin.