Presidenti rus Vladimir Putin thotë se është gati për negociata që synojnë t’i jepet fund konfliktit të armatosur në Ukrainë. Por ai refuzon çdo diskutim me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili siç tha i forti i Kremlinit mbetet “ilegalisht” në pushtet.

Në një intervistë me televizionin rus dhe gazetarin Pavel Zarubin, Putin tha se nuk ka parë vullnet nga Kievi për të negociuar me Moskën për t’i dhënë fund luftës. Rusia është e hapur për bisedime, por nuk sheh “vullnet” nga ana e Ukrainës, pohoi Vladimir Putin. Nëse Kievi vendos të negociojë me Moskën, kryetari i parlamentit ukrainas mund ta trajtojë rastin, vuri në dukje ai.

Presidenti rus vlerësoi gjithashtu se lufta në Ukrainë do të përfundonte “për dy muaj” nëse Kievi nuk do të kishte ndihmë ushtarake nga aleatët e tij perëndimorë, të cilët janë të shqetësuar për një reduktim të mundshëm të mbështetjes amerikane pas kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk do të zgjasin asnjë muaj nëse mbarojnë paratë dhe municionet. Gjithçka do të përfundonte brenda një muaji e gjysmë apo dy muaj”, tha Putin në një intervistë për televizionin rus.