Vladimir Putin bëri daljen e parë publike në skenën globale që prej rebelimit të armatosur të muajit të kaluar nga Wagner.

Presidenti rus projektoi imazhin e një lideri të plotfuqishëm që ende kontrollon gjithçka në shtetin e tij, duke folur në samitin virtual të Organizatës për Bashkëpunim të Shanghai-t, të organizuar nga kryeministri i Indisë, Narendra Modi.

“Lidershipi dhe populli rus është i bashkuar”, u shpreh ai përballë liderëve miqësorë ndaj Moskës, si presidenti kinez, Shi Xhinpin, presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko, dhe presidenti Iranian, Ebrahim Raisi.

Kryeministri indian nënvizoi se samiti është një platformë e rëndësishme për paqe, prosperitet dhe zhvillimin e të gjithë rajonit euro-aziatik. Putin theksoi se në botë është shtuar rreziku për konflikte, ndërsa akuzoi perëndimin se po zhvillon një luftë hibride kundër shtetit të tij.

Shefi i Kremlinit shtoi se Rusia do të vazhdojë të kundërshtojë sanksionet e Perëndimit, duke pretenduar se masat ndëshkuese po e bëjnë vendin e tij edhe më të fortë.