Lufta në Ukrainë arriti ditën e 1038, ndërsa Vladimir Putin, tha se Rusia kërkon t’i japë fund konfliktit dhe jo ta ngrijë atë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me planet e Donald Trump për “të ngrirë” luftën në Ukrainë, presidenti rus u shpreh: “Ne gjithashtu po përpiqemi t’i japim fund konfliktit”.
Shefi i Kremlinit shpjegoi se Sllovakia është e gatshme të ofrojë një platformë negociuese për bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës, dhe kjo sipas tij është në rregull me pretendimet e Moskës.
Ditët e fundit, kryeministri sllovak Robert Fico u prit në Kremlin. “Po, kemi pasur diskutime kryesisht për një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë”, – deklaroi Putin. Ai ka shigjetuar edhe presidentin amerikan Joe Biden, duke thënë se në vitin 2021, para pushtimit rus të Ukrainës, Biden i kishte ofroi mundësinë që të shtyhej anëtarësimi i Kievit në NATO.
Gjatë ditës së enjte Moska përjetoi orë tensioni pas disa sinjaleve se aeroportet do të sulmoheshin me dronë. Autoritetet njoftuan mbylljen e tyre për disa orë, ndërsa më pas u rihapën. “Kufizimet e përkohshme ishin vendosur për të garantuar sigurinë e fluturimeve civile”, – shpjeguan autoritete, por pa dhënë detaje të mëtejshme.