Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka fajësuar presidentin e Rusisë si nxitës të konfliktit mes Beogradit dhe Prishtinës. Gjatë një interviste për median zvicerane “Blick” Kurti është shprehur se Putini e sheh Kosovën si një rast suksesi te perendimit në raport me ndërhyrjet në Afganistan dhe Irak.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur për median zvicerane “Blick” për situatën në veri të vendit dhe shanset për një marrëveshje me Serbinë. Sipas tij, Vladimir Putini është ai që po nxit Beogradin drejt një konflikti me Prishtinën.
“Jam optimist se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh nëse ekziston vullneti dhe mbështetja e BE-së, NATO-s, SHBA dhe Britanisë së Madhe. Për të pasur paqe afatgjatë, siguri dhe stabilitet rajonal, Serbia duhet të distancohet nga e kaluara e Millosheviqit dhe nga Putini. Sepse Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë. Putin dëshiron të nxisë konfliktin me Kosovën,” tha ai.
Sipas Kurtit, Putini është i fiksuar me Kosovën pasi e sheh atë edhe si një shembull suksesi të komunitetit ndërkombëtar.
“Putini është i fiksuar pas vendit tonë. Ai ishte i kënaqur për mungesën e suksesit të ndërhyrjeve perëndimore në Irak dhe Afganistan. Atë e zemëron dhe e nervozon fakti se komuniteti ndërkombëtar ka pasur sukses në Kosovë,” tha ai.
Në lidhje me situatën në veri, Kurti thotë se situata për momentin është e qetë ndërsa këmbëngul se qeveria e prishtinës veproi drejt me çështjen e targave.
“Mendoj se kemi bërë gjithçka siç duhet. Targat e vjetra serbe janë një trashëgimi e regjimit të Millosheviqit, i cili ushtroi dhunë ekstreme ndaj shqiptarëve. Mosmarrëveshja për njohjen reciproke të targave është vetëm një simptomë e problemit thelbësor, pasi Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën,” tha ai.
I pyetur konkretisht për raportet me Kosovën, Kurti ka theksuar se Zvicra zë një vend të veçantë.
Zvicra ishte një parajsë për opozitën tonë dhe është shtëpia e klasës sonë punëtore, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne me dërgesat që emigrantët sjellin shtëpi.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Zvicrës janë të shkëlqyera. Vitin e kaluar, investimet zvicerane në Kosovë janë rritur për 44 për qind. Nuk do ta harroj kurrë se ish-këshilltarja federale Micheline Calmy-Rey ishte politikania e parë perëndimore që bëri thirrje për pavarësi të plotë të Kosovës.
Media zvicerane shkruan se para intervistës me Kurtin, stafi I tij kishte kërkuar vetëm një pyetje për Kosovën.





