Çfarë do të thonë shkronjat LGBT (QIA)?
Kjo është një shkurtim i dobishëm që përmbledh grupet kryesore përbërëse brenda Komunitetit "Gay." Në mënyrë të veçantë, ai që sot quhet Komuniteti Gay përfshin femrat lezbike, meshkujt gay, femrat e meshkujt biseksualë, personat transgjinorë, njerëzit në pikëpyetje që nuk janë të sigurt për seksualitetin e tyre, njerëzit intersexual që kanë karakteristika fizike të të dy gjinive, dhe aleatët të cilët janë heteroseksualë por mbështesin të drejtat e homoseksualëve.
Përse flamuri me ngjyrat e ylberit është bërë një simbol i komunitetit LGBTQ?
Në vitin 1978 Gilbert Baker ka propozuar idenë e një flamuri me ngjyrat e ylberit në Paradën e Gay-ve në San Francisco si përgjigje të kërkesës së tyre për një simbol që mund të përdoret çdo vit. Sot, flamuri me ngjyrat e ylberit vazhdon të jetë një simbol për diversitetin, optimizmin, si dhe fuqinë e të drejtave të lëvizjes homoseksuale në mbarë botën.
Përse trekëndëshi ngjyrë rozë konsiderohet si një simbol për të drejtat e LGBTQ?
Trekëndëshi ngjyrë rozë, cili është njohur gjërësisht si simbol homoseksual, vjen nga kampet naziste të Luftës së Dytë Botërore. Burrat gay u detyruan të vishnin trekëndësha rozë për t'u dalluar, ashtu si hebrejntë dalloheshin nga ylli i verdhë i Davidit. Lëvizja homoseksuale, e ka kthyer simbolin nga një simbol denigrimi që përdorej nga nazistët, në një simbol krenarie. Lesbiket të cilat nuk ishin të veçuara në kampe, arrestoheshin si prostituta dhe detyroheshin të vishnin trekëndëshin e zi, që përdorej për kriminelët ordinerë.
Përse ti je gay / lezbike / biseksual / transgjinor?
E vërteta është që përgjigjet për këtë pyetje nga psikologët, kërkuesit shkencorë dhe mjekët janë të ndryshme, por mendimi i përgjithshëm përputhet te fakti që faktori gjenetik mund të ketë një rol në orientimin seksual ashtu si dhe trashëgimia gjenetike, por këto janë kërkime që ende vazhdojnë. Ajo që vlen të përmendet është fakti që orientimi seksual, cilido qoftë ai është mëse natural dhe pjesë e personalitetit tënd.
A mundet "terapia e konvertimit" të ndryshojë orientimin seksual?
Jo. Realiteti është se homoseksualiteti nuk është sëmundje. Ajo nuk kërkon trajtim dhe nuk është i ndryshueshëm. Në 1973, Shoqata Amerikane e Psikiatrisë e ka fshirë zyrtarisht homoseksualitetin nga manuali zyrtar që liston çrregullimet mendore dhe emocionale. Dy vjet me vonë Shoqata Psikologjike Amerikane e mbështeti unanimisht këtë vendim. Që prej asaj kohe dy shoqatat u kanë kërkuar të gjithë profesionistëve të shëndetit mendor të punojnë për të zhdukur stigmën që lidhet me orientimin seksual si një sëmundje mendore.
Pse disa homoseksualë gay, lezbiket, dhe bisexualët u tregojnë njerëzve të tjerë për orientimin e tyre seksual?
Ata tregojnë për orientimin e tyre seksual sepse nuk arrijnë ta përballojnë dot izolimin dhe të jetuarit në mënyrë të pavërtetë. Në fakt, proçesi i zhvillimit të identitetit për meshkujt gay, lezbiket dhe biseksualet, i cili është quajtur “coming out” ka të bëjë me shëndetin e tyre shpirtëror dhe me nivelin e vetvlerësimit të tyre.
A janë të gjithë homoseksualët dhe biseksualët të infektuar me HIV?
Jo. Ky është një mit që ka ekzistuar prej kohësh. Në realitet, rreziku i ekspozimit ndaj HIV-it është i lidhur me sjelljen e një personi dhe jo me orientimin e tij / saj seksual. Çfarë është e rëndësishme të kujtoni në lidhje me HIV / AIDS është se kjo mund të parandalohet duke përdorur praktikat e sigurta seksuale dhe duke mos përdorur substanca narkotike të cilat të çojnë në sjellje të papërgjegjshme.
Ambasada Pink: Në Shqipëri ka 400 mijë homoseksualë
Sipas menaxheres së Ambasadës Pink, Estela Ziu, janë plot 400 mijë shqiptarë homoseksualë dhe lezbike. E pyetur se nga i kanë nxjerrë këto të dhëna, Ziu dha argumentin se, në Amerikë, LGBT janë 10% e popullsisë dhe, sipas saj, kjo shifër i korrespondon edhe vendit tonë. Ky pohim u shpreh gjatë një konference të zhvilluar disa muaj më parë nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale së bashku me Ambasadën Pink dhe ambasadorin holandez, Van Den Dool, me temën “Të mbrojmë më mirë të drejtat kundër diskriminimit bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor”. Përfaqësuesit e Ministrisë së Punës jo vetëm që nuk dhanë argumente mbi këtë shifër, por e pranuan në heshtje pa bërë asnjë koment.
Klasifikimi i vendeve gay-friendly në Europë: Shqipëria merr dy pikë
Shoqata ILGA ka publikuar klasifikimin Rainbow të shteteve europiane në të cilën analizohen kushtet e jetesës së personave LGBT. Klasifikimi Rainbow shqyrton vetëm ligjet kundër homofobisë në një vend të caktuar, jo klimën sociale. Parametrat e përdorur janë prania ose jo e ligjeve anti diskriminuese, njohja ligjore e personave transeksual, njohja e lidhjeve midis personave të të njëjtit seks, lufta kundrejt krimeve me bazë urrejtjen etj. Për secilën nga këto kategori jepet ose hiqet një pikë: kështu rezultatet variojnë nga -7 (dhunim i të drejtave dhe diskriminim i përgjithshëm) në 17 (barazi e plotë ligjore).
Shqipëria ka marr 2 pikë në këtë klasifikim. Nuk është rezultat i kënaqshëm, por duke u konfrontuar me vende të tjera të rajonit, jemi njësoj, madje edhe më mirë se Italia që ka marr 0 pikë ose Maqedonia që ka marr -2.
Klasifikimi është si vijon:
· Britania e Madhe : 12,5 pikë
· Spanja dhe Suedia: 12 pikë
· Belgjika, Gjermania, Norvegjia, Vendet e Ulta dhe Portugalia: 10 pikë
· Danimarka dhe Islanda: 9 pikë
· Hungaria: 7 pikë
· Austria, Kroacia e Finlanda: 6 pikë
· Franca, Irlanda dhe Sllovenia: 5 pikë
· Andora, Luksemburgu dhe Zvicra: 4 pikë
· Republika Çeke: 3 pikë
· Shqipëria, Bullgaria, Estonia, Greqia, Mali i Zi, Romania dhe Serbia: 2 pikë
· Bosnja-Hercegovina, Kosova, Lituania, Polonia e Sllovakia: 1 pikë
· Italia, Letonia dhe Malta: 0 pikë
· Gjeorgjia: -1 pikë
· Armenia, Azerbajxhan, Qipro, Lihtenshtain, Maqedonia, Monako, Rusia, San Marino, Turqia dhe Vatikani: -2 pikë
· Bjellorusia dhe Moldavia : -3 pikë
· Ukraina: -4 pikë