DURRËS, 13 gusht 2013 – Ministri në ikje i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, ndonëse me ligj është i detyruar të njoftojë në sajtin e dikasterit edhe për problemet e gjuetisë, ka neglizhuar duke mos dhënë udhëzimet për nisjen e sezonit të gjuetisë, përcaktimin e zonave të gjuetisë me harta etj. Kurse Drejtoritë e Shërbimit Pyjor (DSHP) në qarqe kanë filluar punën me ankandet e dhënies në përdorim të zonave të gjuetisë. Kështu DSHP-ja e Durrësit ka nxjerrë njoftim për konkurrimin publik të marrjes së zonave për gjueti turistike (veprimtari e kryer nga gjuetarë, që udhëtojnë në distanca të konsiderueshme nga vendi ku jetojnë ose nga zona e tyre e gjuetisë dhe shpesh jashtë vendit, për qëllime gjuetie) për sezonin 1 tetor 2013-28 shkurt 2014 . Data e zhvillimit të ankandit është 20 gushti 2013. Gjuetia do të bëhet në tre nga 5 zonat e gjuetisë (pjesë të sipërfaqeve tokësore dhe ujore, ku jetojnë lloje të faunës së egër, objekt gjuetie dhe të cilat mund të shfrytëzohen për ushtrimin e gjuetisë). Për zonën nr. 1, Ishëm, që ka sipërfaqe 7376 ha, çmimi fillestar do të jetë 811125 lekë; për zonën nr. 2, Manzë-Sukth, me sipërfaqe 6790 ha, çmimi fillestar do të jetë 807025 lekë; për zonën nr. 5, Katundi i Ri, me sipërfaqe 5600 ha, çmimi fillestar do të jetë 806125 lekë. Gjuetia do të ushtrohet për llojet shkurtë, laureshë, shapkë, shapkë uji, rosë e egër dhe të tjera lloje objekt gjuetie. Ka një shkujdesje të administratës shtetërore në mbrojtje të faunës. Kjo vërehet nga njoftimet e raportuara në medie për gjuetinë e paligjshme, dëmtimin e botës së egër, korrupsionin dhe trafikimin e kafshëve dhe zogjve nga të huaj. “Dyrrahu” ka botuar lajmin “National Geographic”: Gjahtarë shqiptarë, kështu mashtrojnë rosën shtegtare” (shih: durreslajm.com/aktualitet/%E2%
Info
Dhënia në përdorim e zonave të gjuetisë
Zonat e gjuetisë mund t’u jepen me qira shoqatës së gjuetarëve dhe personave fizikë e juridikë me kërkesën me shkrim të tyre. Dhënia me qira bëhet me kontratë për një afat jo më shumë se 10 vjet. Zonat e gjuetisë jepen me qira, përmes ofertës publike, e cila shpallet pas themelimit të zonës. Procedurën e ofertimit për dhënien me qira të zonës së gjuetisë e zhvillon, sipas përkatësisë së pronës, DSHP-ja, në territorin e së cilës ajo gjendet, në bazë të dispozitave të ofertimit publik. Për çdo rast të dhënies me qira të zonës së gjuetisë njoftohet shoqata e gjuetarëve.
Vlera fillestare e qirasë
Vlera fillestare për qiranë e zonës së gjuetisë përcaktohet sa 50 për qind e vlerës të gjuetisë vjetore të kafshëve të egra, të planifikuara sipas planit të përdorimit të llojeve të zonës së gjuetisë, të llogaritura sipas çmimit të tregut. Vlera fillestare për qiranë e zonës së gjuetisë shërben si çmim dysheme për personat që do të marrin pjesë në konkurrim.
Kontrata e qirasë
DSHP-ja lidh me fituesin kontratë për dhënien me qira të zonës së gjuetisë, e cila duhet të përmbajë edhe emërtimin, madhësinë, kufijtë dhe infrastrukturën e zonës së gjuetisë; llojin dhe numrin e përafërt të kafshëve të egra, objekt gjuetie; masat për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e zonës së gjuetisë; detyrimet për të investuar në zonë; formën, sasinë dhe afatin e pagesës së qirasë.
Metoda, teknika dhe mjete të ndaluara në gjueti
Askush nuk ka të drejtë të vrasë ose të zërë individë të llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, duke përdorur mjete dhe metoda të zënies ose të vrasjes në shkallë të gjerë dhe në mënyrë joselektive si: helm; mjete, që shkaktojnë vrasje masive; eksplozivë, kurthe, gropa, gracka, ngjitës për shpendë, grepa, rrjeta, karrem të helmuar ose mjete mashtruese; karrem të gjallë, të verbuar ose të sakatuar; kuaj, qerre, automjete, barka me motor, që lundrojnë me shpejtësi mbi 5 kilometra në orë ose aeroplan për ndjekje; drita artificiale ose pasqyra ndriçuese; pajisje elektronike për të përmirësuar pamjen në dritë të dobët; pajisje për imitim të zërit; rrymën elektrike për të vrarë ose paralizuar; tym ose gaz, që i detyrojnë kafshët të dalin nga vendet ku fshihen; rrjetat për kapjen e shpendëve; armë automatike ose gjysmautomatike. Gjuetari mund të përdorë qentë për ndjekjen e kafshës së plagosur, por nuk i lejon ata që ta mundojnë atë.
Ndalimet
Në territorin e Republikës së Shqipërisë ndalohet: gjuetia, pa qenë i pajisur me leje gjuetie; gjuetia e kafshëve dhe e shpendëve të egër, që nuk janë në listën e llojeve, objekt gjuetie; gjuetia jashtë zonave të lejuara të gjuetisë; ushtrimi i gjuetisë në periudhën e ndaluar e jashtë sezonit të lejuar për gjueti; ushtrimi i gjuetisë me mjete, mënyra e metoda, që ndalohen nga ky ligj e nga aktet nënligjore në zbatim të tij; vrasja e shpendëve në kohën kur u bien pendët, kur kanë ngrirë nga të ftohtit, si dhe kapja e kafshëve gjatë përmbytjeve; ushtrimi i gjuetisë gjatë vërshimeve të ujërave, ortekëve të borës, akullit, zjarrit ose kushteve të tjera të jashtëzakonshme natyrore, që vështirësojnë dukshëm lëvizjen e kafshëve; prishja e çerdheve, dëmtimi, mbledhja, marrja e vezëve dhe e të porsalindurve, vrasja ose nxjerrja nga strofka dhe shfarosja e atyre që ndodhen në të; vrasja e gjahut në kohën e riprodhimit dhe të rritjes së të vegjëlve; gjuetia gjatë periudhës së shumimit apo të kujdesit për të vegjlit dhe për llojet migratore, gjatë kthimit të tyre në territoret e shumimit; ushtrimi i gjuetisë në det dhe në sipërfaqet ku zhvillohet akuakulturë intensive; vrasja ose kapja e individëve të llojeve, objekt gjuetie, mbi sasitë e lejuara; gjuajtja gjatë natës, duke filluar me perëndimin e diellit deri në lindjen e tij; dëmtimi i rrethimeve, i ndërtimeve për gjuetinë, i vendeve të gjuetisë, i tabelave e shenjave të kufijve, i kullave të vrojtimit dhe i kafazeve të vendosur për zogjtë.
/th. m. agjencia lajmeve “Dyrrah”/





