Teuta e nis vitin e ri në transfertë përballë Partizanit kampion. Durrsakët tashmë kanë nisur dhe zyrtarisht përgatitjet “anti-Partizani”, ku nga sot Teuta do të merret me të kuqtë. Qendërmbrojtësi Harallamb Qaqi, shprehet se ndaj Partizanit do të jetë një ndeshje e vështirë, por ai ka besim tek ekipi i tij që do të arrijë të marrë një rezultat pozitiv në këtë premierë ndeshje.

Si shkoi faza përgatitore dhe si e vlerësoni gjendjen e skuadrës deri tani?

Mund të them me bindje të plotë se faza përgatitore e zhvilluar këto 10 ditë në Durrës, shkoi mjaft mirë. Kemi punuar në kushte mjaft komode, dhe me dy seanca në ditë. Kemi marrë ngarkesën e plotë dhe natyrisht që kushtet ndikojnë në këtë drejtim. Lajmi i mirë është që nuk kemi pasur dëmtime dhe kështu kemi pasur mundësinë të punojmë me grup të plotë.

Nisni zyrtarisht të mendoni për Partizanin. Çfarë prisni?

Është e vështirë, e dimë. Sa i përket ndeshjes duam ta nisim pozitivisht me Partizanin, por çdo ndeshje është një histori më vete, e kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe jemi në gjendje pozitive. Po shohim dhe mendojmë pozitivisht për ndeshjen hapëse të 2024-ës dhe siç e thatë edhe ju nuk është e lehtë.

Keni presion për të marrë pikë ndaj Partizanit?

Ne e dimë që në çdo ndeshje ka presion dhe në çdo ndeshje kërkojmë maksimumin. Por, jemi të qetë. Me presion shpesh ndodhin gjëra jo të këndshme. Ne kemi motivimin e duhur, dhe aspak presion. Jemi një grup i ri, kështu që kemi durim dhe besim, por jo presion.

Kujt i druheni më shumë dhe çfarë vlerësoni më shumë nga kundërshtari?

Partizani ka një ekip shumë cilësor dhe 11 lojtarë shumë cilësorë, por dhe ne nuk jemi për t’u nënvlerësuar. Ekipi i ka mundësitë që nga ndeshja në ndeshje të rrisë performancën. Kemi lojtarë cilësorë dhe që duan me patjetër të bëjnë sukses.

Deri ku mund të shkojë skuadra këtë sezon?

Jemi ende herët për të dhënë verdikte, ku mund të arrijmë. Tani nisi faza e ndeshjeve më të vështira të kampionatit. Na presin ndeshje të vështira, por unë mendoj që do t’i arrijmë ato objektiva që kemi, pasi kemi shumë ndeshje përpara dhe shpresojmë ta mbyllim me sukses.