Krujë, 30 mars 2014 – Një 2 vjeçar ka humbur në mënyrë tragjike jetën, pasi është mbytur në një pusetë. Burime policore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në fshatin Mallkuc,në rrethin e Krujës.

Mësohet se i mituri ka rënë në pusetën e hapur rreth orës 20.30 të mbrëmjes së të shtunës. Ora e vonë ka bërë që rënia e fëmijës në pusetë të mos konstatohet menjëherë nga prindërit e tij. 2 vjeçari S.U. është gjetur i mbytur vetëm pak minuta më vonë nga familjarët. Megjithë dërgimin e menjëhershëm në spital, ka qenë e pamundur për mjekët ta rikthenin në jetë vogëlushin.

Policia po vijon kryerjen e veprimeve të para hetimore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes tragjike.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/