DURRËS, 24 shtator 2013 – Përshkallëzohet dhuna në familje, java e re ka nisur me një rast në Sukth, ndërsa java e kaluar ka pasur 20 të tilla. Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut të Durrësit tha se më 23 shtator 2013, ora 1.00 pas mesit të natës ka arrestuar në flagrancë, 35-vjeçarin A. Sh. nga fshati Sukth i komunës së Katundit të Ri në rrethin e Durrësit. Atë e ka denoncuar bashkëshortja 30 vjeçe , të dielën, ora 19:00 për dhunë fizike dhe psikologjike. Ndërkohë organet e rendit për të dëmtuarën plotësuan edhe kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme në gjykatën e rrethit gjyqësor Durrës. Sipas forcave ligjzbatuese, gjatë javës së kaluar janë evidentuar 20 raste të dhunës në familje në të gjithë qarkun. Nga këto në 6 raste u vlerësua se ishin ezauruar elementë të veprës penale të dhunës në familje në 5 raste dhe të vrasjes me paramendim në 1 rast, ndërsa për 14 të tjera nga specialistët është plotësuar kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. Nga 20 kërkesë padi, 12 i takojnë komisariatit të Durrësit, ku në 8 raste janë denoncuar dhunë e ushtruar nga bashkëshorti ndaj bashkëshortit; 2 raste kur bijtë kanë rrahur prindin; një rast kur fëmija ka denoncuar prindin; kurse një rast vëllai vëllanë. Në Shijak janë 4 raste: një për bashkëshorti që rreh bashkëshorten; një vëllai vëllanë; një prind fëmijën; një fëmijë prindin. 4 raste i takojnë komisariatit të Krujës, ku është arrestuar një shtetas dhe tre të tjerë ndiqen në gjendje të lirë. Janë hartuar dy kërkesë padi për dhunë të bashkëshortit ndaj bashkëshortes dhe dy kur fëmijët kanë keqtrajtuar ata që u kanë bërë kokën.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/