Në kuadër të operacionit të koduar “Parandalimi”, babë e bir janë arrestuar nga policia e Tiranës, gjithashtu është proceduar dhe një 68-vjeçare.
Mësohet se në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale: S. J., 39-vjeç dhe djali i tij E. J., 16-vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas po lëviznin me një trinçikël në rrugën “Ali Kolonja” në kryeqytet dhe pas kontrollit nga efektivët e policisë iu janë gjetur 2 automatikë dhe municio luftarak.
Ndërsa 68-vjeçarja P. T., u procedua penalisht, pasi ruante në banesën e saj armët e zjarrit.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr.2, operacioni policor i koduar “Parandalimi”.
Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen 2 armë zjarri automatik, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.
Vihen në pranga babë e bir.
Procedohet në gjendje të lirë dhe një 68-vjeçare, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje, si rezultat i informacioneve të mara në rrugë operative organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Parandalimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-S. J., 39 vjeç dhe djali i tij E. J., 16 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kishin grumbulluar informacione në rrugë operative se këta 2 shtetas po qarkullonin me një triçikël, me armë zjarri me vete.
Bazuar në këto prova, gjatë operacionit, në rrugën “Ali Kolonja u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve. Gjatë kontrollit të triçiklit u gjetën dhe u sekuestruan 2 armë zjarri automatik dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht dhe shtetasja P. T., 68 vjeçe, e cila dyshohet se ruante në banesën e saj armët e zjarrit që iu sekuestruan shtetasve të lartpërmendur. Gjatë kontrollit në banesën e saj u gjet një armë gjahu pa leje, e cila u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, gjatë këtij operacioni.
Vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtari kriminale dhe zbulimin e qëllimit që kishin këta shtetas, me armët që posedonin.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Tiranë, për hetime të mëtejshme.





