Finalizohet në Durrës operacioni policor i koduar “Blindi”. Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas që qarkullonin me automjet të blinduar dhe të armatosur,
Policia u ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë me krehër me fishekë, automjetin e blinduar, një targë ruse të falsifikuar, një shumë parash dhe 3 celularë.
“Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, për 2 shtetas që qarkullonin me armë zjarri në automjet, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Blindi”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin e blinduar me drejtues shtetasin E. D. dhe pasagjer shtetasin E. B. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, me krehër me fishekë, një targë ruse e dyshuar e falsifikuar dhe një shumë parash.
Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. D., 28 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-E. B., 29 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.– njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.





