Policia ka arrestuar dy të rinjë në Lezhë, pasi u konstatuan se qarkullonin me armë zjarri dhe armë të ftohta në automjetin me të cilin lëviznin.
Forca e Posaçme “Shqiponja” në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, thanë se kishin marrë informacione në rrugë operative, për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri në automjet, kështu në vendin e quajtur “Lalm i Ri”, kanë lokalizuar dhe ndaluar mjetin e dyshuar.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin B. D. dhe pasagjer shtetasin F. N., është gjetur një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë dhe një shkop bejsbolli, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin”.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B. D.,18 vjeç dhe F. N., 24 vjeç, banues në Zejmen Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.





