Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast”, arrestohet 30-vjeçari.

Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë me dy krëhra e municion luftarak, arrestohet poseduesi.

Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative për një shtetas, pasagjer në një automjet, që qarkullonte i armatosur në zonën e Laprakës, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fast”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi K. K., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në Laprakë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një automjet tip “Audi” me drejtues shtetasin Xh. S., dhe pasagjer shtetasin K. K. Gjatë kontrollit të çantës së shtetasit K. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me 2 krëhra dhe municion luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë.