Policia në Tiranë, gjatë një operacioni, ka arrestuar një 24-vjeçar.

I riu u kap në rrugën “Xhenfize Keko”, teksa në automjet kishte një pistoletë.

“Kontrolle të befasishme nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja, për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me lëndë narkotike, armë zjarri dhe sende të kundërligjshme.

Gjatë kontrolleve, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga një 24-vjeçar që qarkullonte me armë zjarri pistoletë në automjet.

Nga kontrollet e befasishme të kryera në zona të ndryshme në Tiranë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, kanë goditur një rast të armëmbajtjes pa leje, për të cilin u arrestua shtetasi M. N., 24 vjeç.

Në rrugën “Xhanfize Keko”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “BMW” që drejtonte ky shtetas, në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur një çantë supi ku 24-vjeçari mbante një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjatë kontrolleve të befasishme, janë verifikuar dhe kontrolluar dhjetëra shtetas dhe automjete. Kontrollet do të vijojnë në të gjithë qarkun. Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.