Në kuadër të operacionit policor të koduar “Invisible” është vënë në pranga 41-vjeçari Bledjan Qose, i cili qarkullonte nëpër Tiranë me pistoletë me krehër dhe municion luftarak të fshehur në kroskotin e makinës.

Gjatë operacionit, në rrugën “OSBE”, në Kamëz, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues Bledjan Qosen.

Gjatë kontrollit, në pjesën e kroskotit të automjetit është gjetur një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.  

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 41-vjeçarit, banues në Kamëz, dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.