Përmes një postimi në Facebook, kryedemokrati Lulzim Basha i ka propozuar qeverisë një paketë të përbërë nga 5 pika për të ndalur futjen e Durrësit në një “dimër ekonomik”.
“Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë e Durrësit dhe zonave të tjera. Mijëra vende pune, biznesi i vogël dhe ekonomia prodhuese janë nën presion. Njësitë e hoteleri-turizmit përballen me rënie konsumi dhe i tremben reduktimit apo anulimit të prenotimeve.
Për të ndalur futjen e Durrësit në një “dimër ekonomik” me pasoja të rënda sociale që do të vinin nga reduktimi i numrit të të punësuarve, ulja e pagave të punonjësve dhe mbyllja e bizneseve, për të mundësuar një rigjenerim të ekonomisë prodhuese, shërbimeve dhe biznesit të vogël në zonat e dëmtuara, propozojmë këtë paketë të thjeshtë dhe realiste.”, shkruan Basha.
Kreu i opozitës propozon për të gjitha subjektet ekonomike në zonat e prekura nga tërmeti:
-Anulimin e taksës së pasurisë dhe të gjitha taksave dhe tarifave vendore për periudhën e rindërtimit.
-Përjashtimin e taksës për të ardhura për të gjitha subjektet që riinvestojnë nga fitimi për të rikuperuar dëmet e tërmetit.
-Pezullimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e kërkesave.
-Përjashtimi i TVSH në të gjitha materialet, lëndët e para dhe aktivitetet dhe kapitalet të përdorura për rikuperimin e dëmeve.
-Pezullimin dhe anulimin e pagesave të faturave të energjisë dhe ujit gjatë kohës së katastrofës natyrore.





