ANDI BEJTJA
3dhjetor 2015 – Një miku im, biznesmen i mesëm, sapo kishte paguar një shumë jo të vogël parash, për të bërë plan-biznesin një vjeçar duke paguar dhe ekspertë të huaj bazuar në sistemin e taksave që kishte bërë publike me bujë qeveria, duke programuar çdo gjë në detaje. Ndërkohë Brenda dy javësh u detyrua ta hedhë këtë plan-biznes në kosh dhe të fusë sërish dorën në xhep për bërë gati një plan-biznes tjetër, kuptohet duke qenë edhe më i paqartë për të ardhmen e biznesit të tij.
Që nga armët kimike e deri së fundmi tek tenderi i famshëm i jaguarëve, Edi Rama, si kryeministër, përveç këtyre dy rasteve, është tërhequr edhe në më shumë se 30 raste të tjera në vendime të shpallura me bujë, duke dëshmuar se jo vetëm nuk ka patur besim edhe vetë te këto premtime e vendime që ka shpallur se do ndërmarrë, por mbi të gjitha se është i paaftë të mendojë ekonomikisht për këtë vend që i ra në dorë.
Teksa kapja nga ana e tij e partisë më të madhe në vend nuk mund të thuhet se ishte rastësi, pasi ishte një strategji e mirëmenduar nga ana e tij, që nga lëpirjet që i bëri Fatos Nanos, strategjia me Mjaftin, lufta me Nanon më pas, e deri tek mbajtja e Partisë me “një pallat një vote”, mund të jetë një rekord pozitiv për karrierën e tij personale, por ulja në karrigen e Kryeministrit edhe pse sërish një rekord personal për të, ishte një fatkeqësi për shqiptarët.
Edi Rama e mori Shqipërinë në pikiatën e një krize ekonomike europiane e botërore dhe ngriti çdo strategji bazuar në premtime populiste për të marrë maksimumin e votave, e jo për të gjetur një model apo për të gjetur një shteg për të dalë nga kjo krizë.
Në vend të një kabineti ku të dalloheshin ekonomistët ai ngriti një kabinet ku bien më shumë në sy ministrat që kanë mbaruar për anglisht dhe vuri ministra që në jetën e tyre nuk kishin menaxhuar më shumë se 20 veta. Dhe siç thotë një nga ministrat e qeverisë të tij në konfidencë “këta lloj ministrash po lënë nam jo vetëm se nuk dine të qeverisin po se janë të paaftë të mbajnë dhe lekun që po vjedhin”.
Unë kam qenë nga ata që nuk jam marrë ndonjëherë as me jetën private të Edi Ramës, madje as me korrupsionin e përfolur të tij, as me vilën në Surrel, madje as me korrupsionin e ministrave të tij, që si rrallë here e si asnjë kryeministër në botë del i mbron vetë publikisht, por shifra e raport progresit se në një vit kjo qeveri rreth 45 për qind të tenderave i ka bërë me prokurim të drejtpërdrejtë, nuk ka si të më lërë indiferent.
Kam thënë që në krye të dy viteve, se kjo qeveri i ka paketat ekonomike gabim, se me politikën “prish dhe mbyll”, në vend të hapë një shteg po i`a merr frymën këtij vendi ku sipas Bankës Botërore rreth 400 mijë persona jetojnë jo me më shumë se 2.5 dollarë në ditë, kam bërë thirrje për një tryezë mbarëkombëtare ekonomike, por tani nuk ka më kohë të presim rezultatet sepse humnera është afër dhe po ramë të gjithë bashkë, asnjë lider sado mendjendritur dhe vizionar nuk na shpëton dot.
Përveç korrupsionit, përveç energjive që i harxhon të gjitha me intriga ndaj partnerëve të tij të koalicionit, ekonomikisht Edi Rama dhe kjo qeveri ka hyrë në një rrugë pa krye ekonomikisht. Ai mori borxh të jashtëm për të larë një borxh të brendshëm pa e kaluar nëpërmjet investimeve, duke e çuar borxhin e jashtëm gati te 75 përqindëshi.
Dhe kur nuk e kalon borxhin nëpërmjet investimeve gjithkush e ka të vështirë ta gjejë si do lahen këto borxhe. I keni pare restorantet së fundmi, sjellin faturë për çdo artikull sapo e sjellin, veç e veç për ujin, për verën, për pulën? Kjo është mënyra e larjes së borxhit?
Duke shtrydhur dhe terrorizuar?
Jo vetëm biznesi po punon në këtë klimë terrori. I keni parë mjekët, gati janë shpallur armiq të popullit. Nga koha e Enver Hoxhës kur pacienti ngrihej në këmbë kur kalonte mjeku tani kemi pacientët që i kapin nga veshi mjekët dhe pse: për shkak të terrorit të përhapur nga teza e shëndetësisë falas. Shëndetësia është e pamundur të funksionojë kështu. Praktikisht po jetojmë një paradoks të madh: Shteti ka rënë, por koalicioni funksionon.
Edhe Ilir Meta si një lider me përvojë, produkt natyral i politikës dhe jo i medias si Edi Rama, e sheh këtë, por si njeri i fjalës së mbajtur vazhdon të bashkëjetojë me këtë paaftësi që po na çon në greminë. Unë kam respekt për të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe për të gjithë llojet e besave, por besoj të gjithë jeni dakord që nuk mund të digjet Shqipëria për një besë skraparlliu!
Sa më shumë ta vazhdojë këtë bashkëjetesë aq më shumë do jetë faj por përpara Shqipërisë, shqiptarëve madje edhe fëmijëve të vet. Liderin aksidental e patë, e provuat.
Do ishte papjekuri e madhe të votonim sërish një të ngjashëm. /syri.net/