Nga DurrësLajm
Ah ku më hodhi Zoti! Me këtë këngë proteste, me nota të forta sociale, artisti Robert Aliaj u paraqit në Kënga Magjike. E ndërsa sot protesta e studentëve në mbarë vendin hyri në ditën e 8-të të saj, ky varg duket sikur del nga zemrat e këtyre të rinjve që po sfidojnë indiferencën e qeverisë dhe të ftohtin dhe po qëndrojnë të palëkundur në kërkesat e tyre bazike. Kur dëgjon artikulimin e tyre, ndërsa shpjegojnë arsyet se pse ndodhen prej më shumë se një jave në protestë, natyrshëm kupton se sa larg është kjo qeveri nga hallet e përditshme të popullit, se sa indiferente është ndaj nevojave bazike të shtresës së varfër dhe të mesme, se sa arrogante është ndaj kujtdo që shfaq mendim ndryshe nga propaganda zyrtare apo se sa lëpirëse dhe me bisht ndër shalë tregohet kur ata që ka sharë ngelësa i fton si të barabartë të diskutojnë për 8 kërkesat e paraqitura.
Për 5 vite me rradhë si kryeministër, Edi Rama ka përdhunuar sytë dhe veshët e shqiptarëve me propagandën e tij zyrtare, me monologjet e famshme që aq shumë i ka përzemër kryeministri ynë, me ERTV-në e famshme që tenton të përcjellë një Shqipëri aq ndryshe realitetit të përditshëm, me ironinë dhe arrogancën ndaj opozitës dhe ndaj kujtdo që ngre zërin dhe demaskon ‘parajsën shtetformuese’ të tepsisë kryeministrore.
Studentët për herë të parë në këto 5 vite që Rama qeveris arritën ta bëjnë kryeministrin t’i dridhen gjunjët, teksa shikon se të gjitha format e propagandës, miklimit apo ftesës për dialog po refuzohen kategorikisht prej të rinjve të dalë në protestë.
Rama ndihet i mundur prej studentëve që i kanë marrë kohën televizive, vëmendjen popullore, e kanë thyer rëndshëm me ironinë therëse të dhjetëra pankartave që janë kthyer në meme virale dhe për më tepër i kanë treguar se rinia nuk është aq e tredhur sa kujtonte kreu i qeverisë, që median e cilëson kazan, popullin me atë mikun që nuk ngrihet dhe opozitën e Lulit dhe Monës nuk i llogarit fare si kundërshtarë politikë.
Pas goditjes së rëndë që i dhanë kuksianët, që me revoltën e tyre të fortë zbythën për herë të parë Ramën që po u fuste dorën shumë thellë në xhep duke tentuar t’u zhvaste paratë edhe për të dalë nga dera e shtëpisë, studentët po i japin kryeministrit një mësim që do ta mbajë mend gjatë.
Ky kryeministër që nuk nguroi të çonte pas hekurave dhjetëra të varfër për energjinë elektrike, që u hoqi kafshatën e bukës qindra familjeve të varfëra pasi u ndërpreu ndihmën ekonomike për shkak të sistemit të pikëzimit, që tenton me arrogancë të nxjerrë nga shtëpitë e të hedhë në mes të rrugës dhjetëra familje tek Unaza e re pa i dëmshpërblyer, nuk nguroi që me strukturat e tij shtetërore të tentonte të vidhte brenda dy muajsh 30 milion euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë përmes një kompanie fantazmë të përfaqësuar në Shqipëri nga një recepsionist 26-vjeçar, me një kompani me kapital 1000 lekë.
Zëri i Amerikës, një ditë më parë, në një shkrim të tij lidhur me këtë çështje shkruante se pas kësaj kompanie fantazmë qëndronte biznesmeni Bashkim Ulaj, një nga emrat e shumëpërfolur si një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave shumëmilionësh të qeverisë Rama.
E pra zoti kryeministër, këta të rinj që protestojnë prej 8 ditësh tashmë, nuk janë vegla qorre si recepsionisti 26-vjeçar që përdoret për të vjedhur nga paratë e shqiptarëve 30 milion euro. Nëse kryeministri jonë është aq i gatshëm të plotësojë 8 kërkesat e studentëve le ta bëjë e të mos humbë kohë me estrada të turpshme si ajo mbrëmë në Top Show, ku tentoi të bënte One Man Show-n e rradhës së tij.
Presidenti i Francës Manuel Macron në 13 minuta fjalim para kombit u kërkoi falje francezëve dhe plotësoi të gjitha kërkesat e parashtruara nga jelekëverdhët që i vunë flakën Parisit për 3 javë me rradhë, kryeministri ynë në monologun 2 orësh në Facebook dhe në shfaqjen e mbrëmshme tek Dudushi nuk premtoi zgjidhje për asnjë prej 8 kërkesave të studentëve, përveç asaj VKM-je të famshme që e anulluan me të shpejtë, që në ditën e parë kur Nikolla pa para derës së ministrisë që drejton prej më shumë se 5 vitesh mijëra studentë të revoltuar, me mediokritetin e kësaj qeverie që arsimin e ka çuar në një cep, ndërsa në krye të sofrës ka vënë PPP-të e rrethit të ngushtë të oligarkëve pranë Ramës.
Në fushatën e 2013, Rama premtoi që arsimi do të financohej me 5% të PBB, pikë kjo që studentët e kërkojnë tani me forcë, e që në 5 vite në pushtet kryeministri se ka marrë mundimin ta bëjë realitet. Dhe prandaj studentët këmbëngulin aq fort që të mos ketë dialog me kreun e qeverisë, por vetëm që ai të plotësojë sa më shpejt kërkesat e tyre, pasi ka pasur kohë mjaftueshëm për t’i bërë disa investime të rëndësishme dhe për të bërë një reformë serioze në arsim.
Në vend të shesheve të Rilindjes Urbane që janë kopje të njëra-tjetrës në qytete të ndryshme, në vend të fasadave që do u dalë boja, duhej investuar seriozisht në arsim, pasi këto të rinj që po edukohen sot do të jenë mjekët, juristët, mësuesit, artistët e së ardhmes. Me një arsim të cunguar e të çoroditur nga reforma e paimplementuar dhe e pa zbatueshme në institucionet e arsimit të lartë, po rrezikojmë të nxjerrim breza të tërë që s’do jenë të aftë t’i shërbejnë vendit, apo do të përgatisim kontigjentin e rradhës për t’u larguar drejt dyerve të Evropës për një të ardhme më të mirë. Në vend të tundjes së një tesere partie për një vend pune, studentët e së ardhmes duhet të tundin një diplomë cilësore, që i përgatit për tregun e punës.
Para një kryeministri që ka treguar talent të paparë në menaxhimin e like-ve, share-ve dhe komenteve në rrjete sociale, para një kryeministri narcizist që pëlqen më shumë se gjithçka të dëgjojë veten, para një kryeministri që kërkoi tepsinë për të mos qenë i trazuar në vjedhjen galopante përmes tenderave, PPP-ve, ofertave të pakërkuara etj, këtij vendi i duhet një kryeministër i përulur, i gatshëm t’i shërbejë vendit të tij për t’i garantuar shqiptarëve një jetesë dinjitoze, një demokraci akoma të shumëpritur pas një trazicioni të dhimshëm 28-vjeçar.
Tashmë e kemi një ish-kryeministër mjaft aktiv përmes qytetarit dixhital. Nëse Rama kërkon të vazhdojë të bëjë pelivanin e rrjeteve sociale, le t’i bashkohet Berishës e të konkurojnë të dy bashkë si dy ish-kryeministra për like dhe share mes fansave.
Ky vend ka nevojë të qeveriset, jo të përdoret si pecetë higjenike nga pushtetarët! Nëse vazhdohet në të njëjtën formë, më vonë do themi të gjithë në kor: Ah ku më hodhi Zoti!