Nga Ilir Paja
Akuza dhe kundërakuza. Grabitje jo spektakolare. Por një goditje radhazi që i jepet strukturave të cilat kanë për mision ruajtjen e pronës! Kurse në rastin tonë besimi dhe siguria për jetën i takon së pari forcave të rendit publik. Pra, policisë së shtetit. Ndërsa ngjarja e fundit rëndon drejtpërdrejt kompanitë private të sigurimit. Si të sistemit bankar ashtu dhe atij të aeroportit “Nënë Tereza”. Të cilat duket se janë ende larg standardeve të kërkuara. Këtu nuk është fjala për të bërë publicitet. Sepse raporti shtet-privat e ka tashmë të qartë detyrën përballë njëri-tjetrit. Sepse sërish në rastin tonë marrëdhënia para-jetë është diferencues. Kjo, jo se mediave u “dhemb” kaq shumë për valutën e bankave të nivelit të dytë, tretë, parë. Por raste të tilla nuk janë një jetë e vetme njeriu. E drejtë! Grabitja përfshin deri një grup shoqëror, i cili nis nga financat deri te siguria e tyre, pra, ruajtja. Që të mbetemi brenda temës na duhet të pyesim: mbi ç’nivele prërgatitje punojnë forca të tilla? Sa është niveli tyre i misionit deri në sakrifica? Pyetje të tilla do merrnin përgjigje nëse do shihej vetë siguracioni tyre si punonjës. Nëse kemi paga dhe pension, përgatitje profesionale etj, të gjithë do kuptonim se shteti ruan dyfish.
Fatkeqësisht gjendja është ndryshe. E dimë të gjithë sesa paguhet një ruajtës “dere” në hyrje të këtyre bankave. Ashtu si dimë se po aq paguhen ruajtësit e bizneseve kudo. Ndoshta ka dhe përjashtime. Atëherë këtu lind një problem jo i vogël. Nëse realisht pagat dhe vlera e sakrificës është e shpërfillur, kuptojmë se pas një sjelljeje të tillë qëndron një mendim i fshehur. E gjithë kjo sipërmarrje sigurinë reale e pret nga Policia e Shtetit. Sepse vetëm ajo dhuron ende heronj. Këtu nuk po bëjmë njeriun politik. As dhe po shprehim preferenca. Është vetë fakti i hetimeve, kompetencat që në ngjarje të tilla janë përfshirë deri struktura si Prokuroria e Krimeve të Rënda për të kuptuar se pas kësaj ngjarje dihet se kush do i mbajë në supe operacione të tilla. Nga policia e shtetit deri ndoshta vetë forcat RENEA. Këto të fundit besoj se do jenë shpejt në të gjitha ambientet dhe institucionet e rëndësisë së veçantë.
Në këtë kontekst, debati mbi policinë do rimarrë autoritetin dhe shteti do nisë të “hetojë” fuqinë reale të këtyre kompanive. Ato janë një mundësi punësimi. Ashtu siç duhet të jenë dhe autoritet jo i pakët i sigurisë të gjithanshme. Madje nuk do nxitoheshim të kërkonim një raport bashkëpunues mes këtyre dy mekanizmave të sigurisë.
Për të qenë tani më konkret për të cilën flitet shumë, është gjendja e përgjegjësive pas këtij akti. Mendoj se i vetmi përgjegjës direkt mbetet “privacia” e kompanisë që aeroporti Rinasit. Funksion që me krijimin e tij, ndërtimin e ri ajo e ka si sipërmarrje. Dhe pse mban një emër simbol kombi…nga ana tjetër policia e shtetit ka përgjegjësinë jashtë saj. Përgjegjësi jo vetëm kontrolli. Gjithsesi, vetë mekanizmi grabitjes është përtej një ruajtje rutinë. Ndaj pas ngjarjes në komisionin parlamentar të sigurisë u kërkua mbledhja e këshillit të sigurisë kombëtare. Ku pjesëmarrës është si Presidenti dhe strukturat e tjera të rendit, shërbimit sekret, jo pak deri dhe të forcave të armatosura.
Nuk do nguronim të shprehnim se ka ardhur momenti i një zgjimi moral të një sigurie kombëtare tek vetë shoqëria. Sepse ajo po kupton jo vetëm mashtrimin përmes gënjeshtrës politike. Por dhe të grabitjes reale dhe jo të premtimeve!
Si vend në NATO dhe që marrim përsipër të vetëquhemi më shumë faktor shqiptar në rajon sesa fqinjët janë dakord me këtë tezë, kjo jo pa argumente prej tyre, tani po kuptojmë se jemi keqardhshëm “tifozeri kombëtare”!…Entuziastë deri në besime donkishoteske dhe jo realisht një shtet, pozitë-opozitë seriozë kur flitet për një ditë më shumë siguri, më shumë jetë dhe nëse arrijmë një ditë të parashikojmë të nesërmen atëherë mund të mburremi “Faktor”!
Në rastin e fundit siç ka pasur dhe të tjerë, hetime të tilla ngjajnë me një balonë që “ndjek” pas një avion…
Duke mos iu shmangur krahasimeve historike, po citojmë nga këshilltari Kenedit, i cili pas mbi dhjetë ditësh konflikti me Kubën dhe raketat ruse, kthehet në shtëpi. Sheh nga oborri dhe ngre kokën drejtë diellit. Fëmijët e pyesin se pse po shikonte në atë mënyrë. Ai u përgjigj: “ Bota s’kupton se sot ka sërish jetë dhe diell.” Konteksti ishte i qartë. Dy politikat e kundërta shmangën një konflikt atomik.
Në rastin tonë pyetje të tilla mbesin pa përgjigje. Sepse ne jemi shpërthyes në kontradikta. Jemi urryes deri në mohim. Dhe moralisht mbetemi jo shtet-parti. Por parti e shtetit të partisë sime!
Nëse këshilli i Sigurisë Kombëtare ka kohë pa u mbledhur, i takon kujtdo njeriu qoftë dhe më i thjeshti që të kërkojë një nismë të tillë. Nëse politika ende s’e ka kuptuar një gjendje të tillë përjetuese atëherë të shtyjë dhe datën 21 korrik për reformën në drejtësi. Të marrë pushimet dhe të presë si mik i mirë cilindo të huaj. Por që premtimet e integrimit s’i mban dot tani për tani. Sepse ndoshta po mendon tjetër gjë. Guximin e një referendumi të “dyfishtë”! Një guxim që do burrërojë një faktor sigurie kombëtare dhe do nxjerrë politikisht gjithçka antieuropianizëm!
Në mbyllje do na duhej të shpreheshim: “ mes një premtimi dhe një grabitjeje ka një afri. Të dyja janë krime. Sepse nëse fjala gënjen, vjedhja është pasuria e një grupi shoqëror. Kur ata i grabit, ke vrarë një ditë më shumë nga puna dhe jeta e saj!”
Marrë nga “Shekulli”





