Qofte në qendër të Durrësit në mes të sezonit turistik. Nëse qëndron në sheshin “Liria” përgjatë pasditeve, ajo me të cilën përballesh është aroma e qofteve dhe tymi që lëshohet në ajër gjatë përgatitjes së tyre.
Ndërsa largoi ambulantët që tregtonin petulla, kokoshka etj për vite me radhë përgjatë shëtitores “Taulantia” apo vijës bregdetare në zonën e plazhit, bashkia i solli qoftet në mes të qytetit.
Prej ditësh tashmë, qytetarët e Durrësit, emigrantët dhe turistët nga trevat shqipfolëse apo të huaj “shijojnë” një qebaptore në qiell të hapur.
Me lejen e bashkisë, dhjetëra tavolina druri janë vendosur në qendër të qytetit duke improvizuar një tregti qoftesh të licensuar.
Pavarësisht faktit se ka një qytetërim rreth 3000-vjeçar dhe turizëm kulturor mjaft premtues, Durrësi aktualisht servir qofte mu në “zemër” të tij.
Ndoshta bashkia ka menduar se koncertet e bandës së qytetit apo bienalja e muzikës klasike e muzikantit Florian Vlashi shijohen më mirë të shoqëruara me bukë me qofte.
Lajmi i mirë është që të paktën deri tani nuk kemi raportime për helmime nga qoftet e servirura në qendër të Durrësit…