Arkitektura, urbanistika, Plani Rregullues, turizmi, arkeologjia, restaurimet dhe projektet: një intervistë 360 gradë me drejtorin e Urbanistikës së Durrësit, Adhurim Qehajaj, për të shqyrtuarsituatën e sotme dhe të ardhme të qytetit tonë

Ky Plan Rregullues jep një liri të gjerë për të ndërtuar. Mendojmë se është diktatoriale të ndalosh një pronar të shfrytëzojë tokën e tij, por Plani kufizon mundësinë për të ndërtuar me parametra të përcaktuar. Duhen respektuar metrat katrorë minimalë. Kush ka një sipërfaqe prej 50-100 m² nuk mund të hyjë në lojë i vetëm: duhen të paktën 250 m² truall, pra njerëzit duhet të dalin nga logjikat individualiste që deri më tani kanë dominuar skenarin urbanistik të Durrësit

Në Rrugën Tregtare duhet një restaurim “novator”, nëpërmjet teknikave specifike që lejojnë shtimin e një kati mbi shtëpitë, duke përdorur materiale si xham ose tunxh, për të theksuar dallimin me katet e mëposhtme më antike

Sipas Platonit, arkitektët e aftë i bëjnë qytetet më të bukura dhe qytetet më të bukura përmirësojnë banorët e tyre. Cilësia e arkitekturës pasqyron cilësinë e shoqërisë. Por në Shqipëri kemi eksperimentuar një histori të arkitekturës së shëmtuar: në epokën komuniste arti i ndërtimit u degradua në nivelet minimale, duke riçuar qeniet njerëzore në konceptin e “shtëpisë-strehë”, e realizuar me materiale me cilësi të ulët dhe me primitivizëm teknik ekstrem

Kryebashkiaku i Durrësit është një ndërtues që dashuron punën e tij. Vangjush Dako ndjen një kënaqësi të papërshkrueshme për të ndërtuar dhe emocionohet me të vërtetë, sepse ndihet autori transformimit të hapësirës urbane

Plani i ri Rregullues ka risjellur temën e racionalizimit urbanistik në qendër të veprimit të administratës bashkiake, duke nxitur një debat të gjallë politik por duke lënë indiferente shumicën e qytetarisë. Nga ana tjetër, një minorancë më e ndjeshme ndaj problemeve të mbrojtjes arkeologjike dhe të zhvillimit turistik të Durrësit ka shprehur ankesat e saj në forumet virtuale dhe në faqet e kësaj gazete. Le të thellojmë tematikat sensibël që prekin qytetin tonë me Adhurim Qehajaj, jo vetëm si drejtor i Urbanistikës por edhe si arkitekt, duke diskutuar për etikën lidhur me këtë profesion dhe rezultatet e prodhuara nga transformimi urbanistik i Durrësit.

Personalisht, kam përshtypjen se shumica e banorëve të Durrësit janë të lumtur me qytetin kështu siç është. Në faqet e kësaj gazete kanë qenë publikuar intervista me personalitete të njohura durrsake, të cilët kanë deklaruar se “nuk do ta ndërronin Durrësin me asnjë vend tjetër në botë”. Pra,  kjo do të thotë se aprovojnë betonizimin masiv që qyteti ka vuajtur gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit?

Kush pohon se nuk do ta ndërronte Durrësin me asnjë vend tjetër në botë nuk e thotë sepse i pëlqen pamja aktuale e qytetit. E thotë në kuptimin nostalgjik, duke e kujtuar ashtu siç ishte, dhe e thotë edhe për një formë krenarie rrjedhur nga trashëgimia komuniste, që nguliste thellë tek qytetarët e rinj, të ardhur nga zona të tjera të Shqipërisë, një dashuri “të detyrueshme” për qytetin e tyre. Por mbi të gjitha durrsaku është rrënjosur në qytetin e tij sepse ndihet i vlerësuar dhe i njohur si “i biri i…”. Dhe pastaj, në krahasim me Tiranën, që është një qytet i krijuar nga hiçi, Durrësi ruan gjithmonë joshjen e “qytetit historik”, që dëshmon të gjithë shtresëzimet e civilizimeve që e kanë banuar gjatë 2700 viteve të fundit.

Sipas jush, çfarë lloj përmirësimi presin durrsakët nga Plani Rregullues? Më duket se njerëzit nuk kërkojnë një përmirësim estetik të Durrësit, por dëshirojnë lehtësimin e burokracisë për të ndërtuar një shtëpi private ose një pallat mbi tokën e gjyshit, dëshirojnë të blejnë me çmim të ulët një apartament në qendër të qytetit. Apo gaboj?

Nuk gaboni, dhe në fakt ky Plan Rregullues jep një liri të gjerë për të ndërtuar. Por nuk dua të jem keqkuptuar siç ndodhi me intervistën e fundit. Nuk ndalohet për të ndërtuar, sepse mendojmë se është e pa drejtë dhe diktatoriale të ndalosh një pronar të shfrytëzojë tokën e tij. Por Plani kufizon mundësinë për të ndërtuar me parametra të përcaktuar. Një shoqëri nuk frymëzohet vetëm nga liria, por edhe nga rregullat: ka të drejta, si ajo për të ndërtuar, dhe ka detyrime, si ai për të mos i shkaktuar dëme estetikës dhe shoqërisë urbane. Kështu Bashkia mund të kufizojë të drejtën e qytetarit për të zhvilluar pronën e tij, duke shqyrtuar pozicionin e truallit brenda Planit Rregullues dhe koefiçentët e ndërtimit të parashikuara për atë zonë. Për të ndërtuar, duhen respektuar metrat katrorë minimalë. Kush ka një sipërfaqe prej 50-100 m² nuk mund të hyjë në lojë i vetëm: duhen të paktën 250 m² truall, pra njerëzit duhet të dalin nga logjikat individualiste që deri më tani kanë dominuar skenarin urbanistik të Durrësit (dhe të tërë territorit kombëtar), për të mësuar të bashkohen, të bashkëveprojnë, të paraqesin kërkesat në grup.

Ekziston edhe një pakicë e qytetarisë që qan mbi fotot e vjetra të Durrësit dhe tregon shumë sensibilitet ndaj pasurisë arkeologjike…

Kam mbetur i zhgënjyer nga reagimet e publikut ndaj intervistës time të mëparshme. Nuk kam thënë kurrë se mund të ndërtohet mbi arkeologjinë, por se mund të ndërtohet në Zonën A duke respektuar rregullat, dhe rregulla themelore është mbrojtja e trashëgimisë kulturore. Unë kam thënë vetëm se s'mund t'i thuhet një pronari: “ti nuk ke të drejtë të ndërtosh në tokën tënde”, por se është më mirë t'i thuhet: “ti mund të ndërtosh, POR…”. Kjo “por” nënkupton një seri kufizimesh për t'u respektuar. Nga ana tjetër, jo gjithçka që del nga gërmimet arkeologjike ka vlerë përfaqësimi (për shembull mure bazamenti të thjeshta pa zbukurime), ndërsa shumë sende mund të ruhen në muze dhe jo atje ku janë gjetur. Nuk mund të shpëtohet gjithçka, përndryshe duhet të spostohet çdo qytet. Duhet të jemi praktikë: qytetet zhvillohen, rriten dhe vdesin për arsye ekonomike.

Pra, arkeologjia i bëhet fli “arsyeve ekonomike”?

Jo, madje, “arsyet ekonomike” ndihmojnë arkeologjinë! Shteti nuk ka para për të investuar në arkeologji dhe kështu i kalon ndërtuesve veprën e gërmimit. Nëse askush nuk do të dëshironte të ndërtonte në qendrën e qytetit, atëherë nuk do kishte kurrë mundësi për të zbuluar objekte arkeologjike me vlerë. Gërmimet bëhen me shpenzimet e investitorit dhe pra edhe me rriskun e tij, sepse mund të gjeheshin sende apo monumente që pengojnë realizimin e ndërtimit. Personalisht nuk jam dakort me ndarjen në Zona A, B dhe C, sepse i gjithë territori i Durrësit është potencialisht i pasur me gjurmë arkeologjike. Në Zonën B janë zbuluar objekte shumë të rëndësishme, ndërsa në Zonën A mund të ekzistojnë mbetje të monumenteve që një herë e një kohë ishin me vlerë të madhe, por që më pas janë degraduar deri në humbjen e çdo cilësie përfaqësimi. Shumë njerëz mendojnë se nën Zonën A fshihen kushedi sesa thesare arkeologjike, por t'i mbash groposur nuk shërben fare, sepse askush nuk i shikon dhe njëkohësisht bllokohet zhvillimi i zonës. Përkundrazi, duke lejuar gërmimet, mundet me të vërtetë të gjenden monumente të çmuara, që do të tërhiqnin turistë nga e gjithë bota.

A nuk ishte e mundur të detyroheshin banorët e qendrës historike të rindërtonin shtëpitë siç ishin, ashtu si ka ndodhur në Malin e Zi pas tërmetit të 1979? Turistët e huaj pëlqejnë shumë qytezat me pamje antike…

Ky nuk është debat vetëm estetik, por edhe etik. Nëse kryhen ndërhyrje restaurimi në zonat historike, duhet delikatesë, sepse nëse zbatohen restaurime “nostalgjike”, ashtu si në Malin e Zi, gënjehen vizitorët, i propozohet një “fallco historik”, me rezultatin se ata lexojnë qytetin në mënyrë të gabuar, sepse edhe një tërmet është pjesë e historisë. Nuk mund të bëjmë si amerikanët, të cilët në shekullin e XIX riprodhonin arkitekturat angleze viktoriane dhe neogotike në territore të egra. Nuk mund të rindërtojmë në Durrës shtëpi në stilin osman apo austrohungarez. Përkundrazi, besoj se ndërhyrja e drejtë është restaurimi “novator”, që është i ndershëm ndaj historisë dhe njëkohësisht e pasuron atë.

A mund të na jepni një shembull “restaurimi novator”?

Është ai i parashikuar nga Plani Rregullues në tre akset qendrore të Durrësit: Rruga Tregtare, Bulevardi Dyrrah dhe pjesë të Rrugës Aleksandër Goga. Sidomos Rruga Tregtare paraqet fasada të fillimit të shekullit të XX, që dëshmojnë periudhën në të cilën tregtarët e Durrësit kapërcyen fazën e ndërtimit “për nevoja” dhe iu kushtuan zbukurimit dhe dekorimit të rafinuar të banesave të tyre, që pasqyrojnë simetrikisht ato të bregdetit italian. Tani, është e qartë se Rruga Tregtare përfaqëson një moment themelor të historisë së Durrësit dhe pra, në rastin e restaurimit të tij, duhet t'i ndihmojë turistët të lexojnë këtë fazë epokale. Duhet një lloj restaurimi ruajtës, por edhe novator, nëpërmjet teknikave specifike që lejojnë shtimin e një kati mbi shtëpitë e Rrugës Tregtare, duke përdorur materiale si xham ose tunxh, për të theksuar dallimin me katet e mëposhtme më antike. Për më tepër, këto kate të fundit të shtuar “ex novo” nuk do të dalin jashtë nga fasada origjinale. Pra, do të imponohet respektimi i rregullave të rrepta. 

Një përkufizim italian i Planit Rregullues është “dhurata për ndërtuesit nga ana e Shtetit”. Në fakt Planet përfshijnë gjithmonë projekte ndërtimore të reja, edhe në qytete me numra të frikshëm apartamentesh dhe zyrash të pashitura. Përse vazhdojnë ndërtimet?

Shteti merr taksat e tij mbi ndërtimet, ndërsa ndërtuesit rrezikojnë dhe shpesh nuk fitojnë. Nëse një investitor ndërton një kullë për zyra që mbetet e pashitur, është punë e tij, është ai që humb. Duhen lënë njerëzit të lirë të rrezikojnë kapitalet e veta private, duke i dhënë atyre instrumentet për të gjykuar nëse investimi ia vlen apo jo.

Por humb edhe qytetaria, që gjendet me pamjen urbane të shkatërruar, sidomos nëse flasim për një qytet bregdetar si Durrësi…

Nuk konsideroj si një problem kullat buzë detit, janë opinione dhe shije personale. Ç'mund të themi për Hong Kong, San Paolo do Brazil ose Miami? Problemi në Durrës nuk janë pallatet e larta, por cilësia. Kemi përfunduar me ndërtime popullore në qendër të qytetit, që kanëdegraduar peisazhin në mënyrë të pandreqshme. Këtu nuk është kuptuar kurrë se arkitektura është diçka që reziston në kohë dhe është trashëgimi që i lihet brezave të ardhshëm, të cilët do të lexojnë civilizimin tonë nëpërmjet asaj që ne kemi ndërtuar.

New York, Los Angeles, Berlino, Liverpool, Barcellona dhe Montecarlo janë qytete të shëmtuara, por tërheqin shumë turizëm: joshja e tyreështë tek gjallëria e tyre, sepse banorët rrijnë jashtë 24 orë në 24 orë. Përkundrazi, në Durrës aktivitetet kulturore, teatri, mbrëmjet letrare, bëhen në orën shtatë dhe pastaj të gjithë në gjumë. A është qyteti ynë i aftë të gjallërohet dhe të krijojë një “movida”?

Për të tërhequr turizmin, administratat bashkiake duhet të ofrojnë shërbime dhe të shpikin veçanti që i mungojnë qyteteve të tjera. Amsterdami ka liberalizuar drogat e lehta dhe ekspozon prostitutat në vitrina, por ofron edhe shembujt e civilizimit të lartë si parku publik, një truall i lënë pa ndërtime që nga viti 1447. Po në ato vite, turqit po rrethonin Krujën dhe po përgatiteshin të pushtonin Kostandinopojën: është e qartë se Shqipëria është nisur me disavantazh historik. Për më tepër, në Durrës zhvillimi demografik nuk i ka korresponduar atij social dhe nuk ka sjellur ndryshime mentaliteti. Durrsakët janë përparuar teknologjikisht – makina, celularë, computer – por jo konceptualisht. Trashëgimia komuniste i mban ende të lidhur me zakonet dhe me “moralitetin” e epokës së regjimit. Këtu numërohen këpucët tek porta. E vetmja shpresë vjen nga studentët e universitetit të cilët, duke qenë nga qytete të tjerë dhe pra më të lirë prej familjeve, mund të sjellin pak jetë në Durrës, ashtu siç ka ndodhur në Tiranë.

Përveç interesave të qytetarëve dhe të ndërtuesve, Plani i ri Rregullues do të duhej të kënaqte edhe nevojat e turistëve. Sipas jush, turizmi i huaj është një kimerë apo një mundësi reale?

Durrësi, ashtu si tërë Shqipëria, do të duhej të përfitonte nga kriza ekonomike botërore. Në kohë krizash ka gjithmonë kush bën para, por paratë i bën kush ofron paketa turistike më të mira, duke garantuar shërbime me çmim të ulët. Sot qytetet shqiptare ofrojnë kosto më të lira sesa Mali i Zi, Greqia dhe sigurisht Italia, që për më tepër janë vende tashmë shumë të shfrytëzuara nga ana turistike. Shqipëria duhet të pikësynojë në joshjen e së panjohurës dhe të së resë. Besoj se ka mundësi për të konkuruar, por problemi i Shqipërisë është paaftësia për të publicizuar bukuritë e saj jashtë shtetit.

Sipas arkitektit latin Vitruvio, arkitektura ishte koncentrimi i të gjithë formave të dijes.Në sajë të kulturës së jashtëzakonshme të tij, arkitekti ishte i aftë të fuste me harmoni ndërtesat në skenën e natyrës, duke e zbukuruar atë. Pra, arkitektura kryente një rol etik, duke krijuar një vend të menduar në përmasat e njeriut dhe të promovimit të jetesës civile. Çfarë do të thonte Vitruvio duke parë Durrësin?

Vitruvio përsëriste teorinë e parashtruar nga Platoni në “Republika”, sipas së cilës arkitektët e aftë i bëjnë qytetet më të bukura dhe qytetet më të bukura përmirësojnë banorët e tyre. Pra arkitektura kryen një rol edukativ, ashtu si bukuria, që dhuron lumturi dhe rafinon sensibilitetin e individëve. Cilësia e arkitekturës pasqyron cilësinë e shoqërisë, sepse një shoqëri është e përfaqësuar nga arti që prodhon. Por në Shqipëri kemi eksperimentuar një histori të arkitekturës së shëmtuar: në epokën komuniste arti i ndërtimit u degradua në nivelet minimale, duke riçuar qeniet njerëzore në konceptin e “shtëpisë-strehë”, e realizuar me materiale me cilësi të ulët dhe me primitivizëm teknik ekstrem.

Edhe kush nuk ka sens estetik vuan impaktin e pavetëdijshëm të ndërtesave të shëmtuara dhe këto kushte social-banuese kanë egërsuar njerëzit, i kanë bërë të shkujdesur dhe indiferentë: askujt nuk i interesonte nëse binte suvaja e pallatit ose prisheshin pllakat e shkallëve. Ja përse akoma sot njerëzit lënë pas dore fasadat e pallateve, lënë plehrat nëpër shkallë, nuk i bëhet vonë nëse kush banon në katin e fundit ka probleme me terracën dhe refuzojnë të marrin pjesë në shpenzime të përbashkëta. Për këtë kemi vendosur të promovojmë shumë rolin e administratorit të pallatit. Plani Rregullues specifikon funksionin e përfaqësimit nga administratori dhe prandaj Bashkia nuk pranon ankesat dhe kërkesat individuale të banorëve të pallatit: pa një letër të administratorit, çdo kërkesë individuale është e kotë. Plani Rregullues nuk është vetëm një normativë e ftohtë ndërtimore, por edhe një projekt për të përmirësuar sjelljet sociale dhe për të promovuar jetesën civile.

Në “Traktat për arkitekturën” të tij, i kushtuar në 1464 Dukës të Milanos, arkitekti Filarete mbështeste se arkitektura është një “akt dashurie”: çdo ndërtesë ka një baba (“promotori”, që sot është kryetari i Bashkisë) dhe një nënë (arkitekti që e realizon), dhe pra promotori-kryetar Bashkie duhet të kryejë rolin e “drejtuesit mendjendritur” në planifikimin urbanistik. A mund të zbatojmë këtë teori në Durrës?

Një herë kryebashkiaku kishte fuqi të pafundme dhe Duka i Milanos ishte pronar i qytetit. Sot, përkundrazi, kryetari i Bashkisë është thjesht një administrator dhe për më tepër ka duart e lidhura nga pushteti qendror. Në çdo rast, kryebashkiaku i Durrësit është më i mirë sesa shumë të tjerë sepse vjen nga sektori i inxhinierisë dhe është një ndërtues që dashuron punën e tij. Mjafton të mendohet se Vangjush Dako ndjek personalisht kantieret edhe natën dhe e kupton vetë si po punohet, sepse ajo është fusha e tij: kështu firmat që fitojnë tenderat janë shumë të vëmendshme dhe janë gjithmonë gati për inspektimet e tij. Për një qytet në ndërtim si Durrësi, Dako është administratori më i përshtatshëm, sepse ndjen një kënaqësi të papërshkrueshme për të ndërtuar dhe emocionohet me të vërtetë sepse ndihet autor i transformimit të hapësirës urbane.

Si konkluzion, cili është opinioni juaj mbi situatën arkitektonike të Durrësit?

Kam një vizion shumë kritik për panoramën arkitektonike jo vetëm durrsake, por shqiptare në përgjithësi. Jam kritik nga ana njerëzore sepse pjesa më e madhe e arkitektëve shiten për para dhe bëjnë më shumë dëme sesa mjekët: një mjek i keq vret vetëm një pacient, një arkitekt i keq vret shpirtin e një shoqërie të tërë dhe atyre të ardhshme. Megjithatë shpresoj në brezat e arkitektëve të cilët po formohen jashtë shtetit. Dhe pastaj jam kritik nga ana e rezultateve, sepse kam frikë se pjesa më e madhe e pallateve të ndërtuar në njëzet vitet e fundit do të jenë klasifikuar si “prodhime të tranzicionit”. Çdo fazë arkitektonike do të duhej të vendoste tullën e saj në histori, përndryshe është si të mos kesh ekzistuar. Ne do të mbesim të vulosur si “periudhë tranzitore”, kjo është e gjitha.

 

Sheshi i Lirisë, do të  hiqet shatërvani dhe do të vendosen pallate

Drejtori i Urbanistikës shpjegon se “Sheshi i Lirisë është një projekt i ndarë në tre faza. Kemi realizuar të parën, d.m.th. Galerinë e artit dhe shkallën. Megjithë debatet, polemikat dhe bojkotet, veprat kanë përfunduar dhe Galeria është bërë një pikë takimi për qytetarët, ndërsa shkalla bën një figurë madhështore”. Përsa i përket fazës së dytë, Adhurim Qehajaj thekson se fondet janë të pakta për shkak të ligjit që bllokon ndërtimet. “Kjo fazë parashikon spostimin e shatërvanit, sepse sheshet janë hapësira bashkuese dhe nuk duhen ndarë në sektorë, dhe kështu duhen eliminuar pengesat për t'i dhuruar vazhdimësi hapësirës që shkon nga Bashkia tek Pallati i Kulturës”, nënvizon Qehajaj, duke shtuar se të gjithë projektet e prezantuara në konkursin e 2009 parashikonin lëvizjen e shatërvanit dhe ishin drejtuar tek hapësira dhe lirimi maksimal i sheshit. Drejtori i Urbanistikës mbështet se “nuk mund të hiqet dorë nga një rezultat kaq i mirë duke ruajtur me fanatizëm një simbol”. Faza e tretë e projektit i përket sektorit lindor të sheshit, ai përballë shkallës dhe Xhamisë. Sipas Qehajaj “ideja është të rrethohet kjo anë e sheshit me pallate maksimumi gjashtë katësh, më pak invazivë se ata mbrapa, që kanë shkatërruar me të vërtetë Durrësin”.