Qelibari është një fosil që ka shoqëruar njerëzimin që nga kohërat e lashta. Mendohet se ky gur i çmuar është krijuar rreth 50 milion vjet më parë. Copëza qelibari janë gjetur në të gjithë Europën, madje edhe në Egjipt, ku janë shitur bizhuteri me qelibar të vitit 2600 para erës sonë.
Qelibari një mrekulli e natyrës.
Emri qelibar (Ambra italisht, Amber anglisht), vjen nga fjala arabe “anbar” që do të thotë substancë me aromë të mirë.
Kompozimi kimik i qelibarit
Duke qenë se është me origjinë vegjetale, qelibari konsiderohet si gur i çmuar organik. Duhen shumë kohë që rrëshira e pemëve të transformohet në qelibar.
Ky në fakt është një fenomen i natyrës që ende nuk është kuptuar plotësisht. Gjatë këtij procesi formohen struktura molekulare komplekse (polimerizimi molekular), komponentët vajorë avullojnë nën disa kushte të veçanta nxehtësie dhe presioni. Rrëshira e saposekretuar nga trungu i pemës fillon të kalitet dhe gjen përdorime të ndryshme.
Nxjerrja e qelibarit
Mendohet se dy të tretat e rezervave botërore të qelibarit gjenden në Baltik, ku më shumë se 90% e tij përdoret në bizhuteri dhe arte dekorative.
Depozitat e qelibarit baltik gjenden në Gjermani, Danimarkë, Suedi, Finlandë, Estoni, Letoni, Lituani, Poloni, Rusi dhe Ukrainë.
Zemra e qelibarit baltik është porti rus i Kalingradit. Këtu kishin qendrën e tyre në shekullin XV, kavalierët gjermanë, që ushtronin një kontroll të pamëshirshëm mbi prodhimin e qelibarit në Europë, duke i ndëshkuar trafikantët ilegalë me tehun e mprehtë të shpatës së tyre. Sot Kalingradi është sinonim i prodhimit të qelibarit në atë pikë që njihet edhe si Zona Speciale Ekonomike Yantar.
Burime të qelibarit janë gjetur edhe në Meksikë dhe Republikën Domenikane.
Historia e qelibarit
Për shkak të lidhjes me diellin, qelibari është konsideruar si dritë magjike, që udhëheq burrat në botën tjetër. Grekët e quanin “elektron”, ose “i bërë prej dielli”. Edhe persianët ashut si grekët i referoheshin cilësive elektrike të qelibarit dhe e quanin atë “karabe” ose “që tërheq një pikël”.
Qelibari është një gur me histori antike dhe i lidhur me një histori mitike.
Fetoni, biri i Eliosit, perëndia e Diellit, i kërkoi babait leje që të ngiste ‘karrocën e diellit” në qiell për të vënë në provë origjinën e tij hyjnore.
Eliosi pranoi, por e priu fati i keq. Fillimisht karroca fluturoi shumë lart dhe toka u ftoh si pasojë e largimit të diellit, pastaj shumë ulët, duke e kthyer në mënyrë të palajmëruar një pjesë të Afrikës në shkretëtirë.
Vetëm atëherë ndërhyri Zeusi, që lëshoi një rrufe që asgjësoi Fetonin. Motra e këtij të fundit qau aq shumë për humbjen e të vëllait, saqë lotët e saj u kthyen në një plep të destinuar për të dedhur lot (qelibar) në përjetësi.
Karakteristikat dhe llojet qelibarit
Për shkak të peshës së lehtë, nxehtësisë që çliron gjatë kontaktit dhe mbi të gjitha për ngjyrën e mrekullueshme të artë, qelibari është një gur shumë i preferuar. Ngjyrat e tij varen nga përbërja dhe lloji i pemës, si dhe nga koha që kalon nga momenti i sekretimit të rrëshirës. Qelibari paraqet një gamë të gjerë ngjyrash, duke filluar nga bluja, kafja, ngjyra e artë, jeshilja, portokallia, e kuqja, e bardha dhe e verdha.
Nga qelibari baltik janë dokumentuar plot 256 tonalitete ngjyrash, që klasifikohen në tre grupe të mëdha: klasik, ngjyrë konjaku dhe limoni.
Ndonjëherë dëgjohet të flitet për qelibarin e zi, por ky term është i gabuar, bëhet fjalë thjesht për qelibar me tonalitete më të thella e të forta në krahasim me ngjyrat e tjera.
Ekzistojnë gjithashtu gurë qelibari me papastërti, gjethe, fara ose insekte brenda tyre.
Një qelibar i tillë që ka brenda prej shekujsh insekte, jo vetëm që është për t’u koleksionuar, por është për paleontologët një dritare e hapur e së shkuarës.
Qelibarët duhet të pastrohen gjithnjë me një copë të lagur.
Për më shumë shikoni në fotogalerinë e mëposhtme nuancat mahnitëse të gurit misterioz.
R.O.