TIRANE, 26 prill 2013– Mesnatën e së enjtes një ish-boksier është qëlluar me shtatë plumba.
Viktima i cili ka mbetur i vdekur është ish-boksieri, Adrian Levanti.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e ‘Unazës së Re’.
Viktima ka qenë më parë i dënuar për vjedhje, dhe kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu.
Vrasja mësohet se ka ndodhur në katin e shtatë të një pallati.
Vetë Levanti banonte në katin e dytë të të njëjtit pallat, por u detyrua të ngjitej në katin e sipërm pasi po ndiqej nga autorët.
Policia ka ngritur pistat e para të kësaj ngjarje të rëndë, duke hedhur dyshime se ajo ka ndodhur për motive hakmarrje.
Kjo pasi para disa ditësh vëllai i viktimës ka plagosur një person.
Ngjarja ka tmerruar banorët e pallatit, një pjesë e të cilëve kanë dalë jashtë të alarmuar.
Ndërkohë në vendngjarje ka forca të shumta policie, ndërsa kjo e fundit ka shoqëruar dhjetëra dëshmitare dhe persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Paraprakisht dyshohet se kanë qenë dy persona, e me saktë dy vëllezër që mund të kenë kryer atentatin ndaj ish-boksierit.
Për arsye hetimi nuk jepen shumë të dhëna për identitetet e tyre, vetëm inicialet e njërit prej autorëve Z.Gjini.
Arrestohet njëri nga autorët e dyshuar për vrasjen e ish -boksierit të martuar me 2 fëmijë.
Në pranga është vënë Pjetër Gjini, i cili u kap nga blutë në Rrëshen.





