Shkodër, 22 gusht 2014 – Operacioni antikanabis që po zhvillohet këto ditë nga Policia e Shtetit në Shkodër, ka hasur sërish pengesën e kultivuesve të drogës.

Dy helikopterë të forcave speciale janë qëlluar me armë, por fatmirësisht nuk raportohet asnjë i plagosur. Të shtënat janë dëgjuar në fshatin Pult, ku policia po vijon aksionin antikanabis.

“Gjatë operacionit të zhvilluar sot, rreth orës 10:20’, në momentin që një nga helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes po kthehej pas transportit të forcave në zonën e Pultit, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, nga persona akoma të paidentifikuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

 Deri në këto momente nga shërbimet e policisë në terren është bërë i mundur asgjësimi i mbi 7.000 rrënjëve kanabis sativa, ku për çdo rast në vendngjarje janë kryer veprimet procedurale përkatëse. Po ashtu janë gjetur e sekuestruar dhe rreth 15 kilogram bimë narkotike boçe kanabis.

Në këtë operacion marrin pjesë rreth 160 forca policore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër, të Komisariatit Special RENEA, Ndërhyrjes  së Shpejtë dhe shërbime të tjera të specializuara.

Në mbështetje të këtyre forcave janë vënë tre helikopterë, nga të cilët 2 të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një i Policisë së Shtetit, që kryen transportin e forcave policore, pasi terreni ku po zhvillohet operacioni është tepër i vështirë.

Operacioni i ndërmarrë që prej ditës së djeshme, është një ndër operacionet më të gjera të zhvilluara nga strukturat e policisë, pas operacionit të zhvilluar në Lazarat.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/