Policia ka mundur të zbardhë një plagosje me armë zjarri, të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në Sarandë.

Rreth orës 02:32, në lagjen nr.1 Sarandë, në ambientet e jashtme të një lokal-disko, shtetasi A.L., 37 vjeç me banim në Vlorë (vend në të cilin punonte si “Bodyguard”), është qëlluar me armë zjarri nga një shtetas tjetër (dyshohet shtetasi D.M) i cili duke përfituar nga errësira është larguar menjëherë me një automjet nga vendi i ngjarjes.

Falë veprimeve hetimore intensive të policisë së Sarandës, u bë i mundur identifikimi i autorëve, kapja e njërit prej tyre si dhe shpallja në kërkim e një tjetri:

Joan Buli, 36 vjeç, lindur në Tiranë, me banim të përkohshëm në Sarandë, punonjës në objektin në fjalë (bodyguard) – Arrestuar për “Moskallëzim krimi”; dhe D.M., 31 vjeç, banues në Sarandë – shpallur në kërkim si autori kryesor i plagosjes.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.

Si pasojë e ngjarjes, i dëmtuari A.L ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës Tiranë për mjekim më të specializuar, jashtë rrezikut për jetën.