Ndërhyrja e qenit të saj bëri të mundur që të ndalej tërbimi i agresorit dhe të gjente një shteg për të ikur. Bëhet fjalë për gruan moldave 33-vjeçare, e cila u godit disa herë me thikë nga një shqiptar 6 vite më i ri. Ngjarja ndodhi në Francavilla al Mare (Chieti).
Ajo ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Episodi ndodhi mëngjesin e djeshëm, kur burri 27-vjeçar shqiptar, i quajtur Roland Bushi, u shfaq në portën e shtëpisë së gruas. Ai kishte rënë në dashuri me të, por ajo kishte refuzuar për një kohë të gjatë pavarësisht këmbënguljes së të riut shqiptar.
Pas refuzimit të pestë, gjërat u përkeqësuar. I riu ngjiti gardhin e jashtë dhe me një thikë në dorë sulmoi gruan plot 11 herë, shkruan “Il Giornale”. Viktima u godit në gjoks dhe në bark duke përfunduar në tokë. Ndërhyrja e qenit të gruas, i cili u hodh kundër sulmuesit duke arritur ta kafshonte dhe t’i shkaktonte plagë në duar dhe fytyrë, ishte vendimtare pasi gruaja mund të kishte vdekur në vend nëse sulmet e të riut do të vazhdonin.
Shpëtimi i gruas u bë i mundur falë ndërhyrjes së shpejtë të karabinierëve në vendin e ngjarjes, të cilët gjithashtu ndaluan shqiptarin i akuzuar për tentativë vrasjeje. Bushi u përpoq të hiqte qafe thikën duke e hedhur përreth shtëpisë së viktimës dhe për t’u larguar, por dështoi. Tani, gjendet pas hekurave të burgut Madonna del Freddo në Chieti.
Nëna e 33 vjeçares e cila siç raportohet nga “AbruzzoWeb” ishte në Itali për të vizituar vajzën e saj, ndodhet në gjendje shoku. “Ne kemi ardhur në Itali me pushime për të vizituar vajzën time, dhe tani ajo është në spital”,- tha per mediet nena e 33-vjeçares. Mediat italiane shkruajnë se midis shqiptarit dhe gruas kishte pasur një histori të shkurtër, por që ishte ndërprerë nga 33 vjeçarja për shkak të një sëmundjeje.





