Një i vdekur dhe dy të plagosur rëndë janë regjistruar në “Regency Hotel” të Dublinit, në kohën që në hollin e këtij hoteli ishte duke u zhvilluar peshimi i dy boksierëve.

Aty po zhvillohej promovimi i një dueli boksi, kur u dëgjuan të shtënat me armë dhe më pas të gjithë njerëzit dolën me vrap nga salla. Sipas mediave irlandeze, personat e armatosur ishin 3, të veshur me uniforma policie dhe të armatosur me “AK47”, të cilët nisin të qëllonin.

Policia shtoi se të shtënat me armë nuk kishin lidhje me duelin e boksit, por se bëhet fjalë për një përplasje bandash edhe pse hetimi vijon.

Salla kryesore e këtij hoteli të njohur në Dublin ishte prenotuar për një turne boksi ditën e shtunë, por eventi është anuluar nga organizatorët.