SHKODER, 07 mars 2013-Policia e Shkodrës shpalli në kërkim një 32-vjeçar pasi ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një lokali, ku ndodheshin 9 persona.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Barbullush, ku autori Shpëtim Germaj është konfliktuar me pronarin e lokalit, i cili e ka nxjerrë jashtë, pasi 32-vjeçari e kërcënoi me një thikë.

Shpëtim Germaj ka shkuar në banesën e tij, ku ka marrë një armë zjarri automatik dhe është kthyer përsëri në local dhe ka qëlluar me armë në drejtim të ndërtesës. Nga kjo ngjarje ka mbetur i plagosur lehtë, nga copat e xhamave të lokalit, 26-vjeçari Frederik Bardhi.

Mbi 32-vjeçarin Shpëtim Germaj rëndon akuza e “vrasjes së kryer në rrethana cilësuese, ndaj dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë” dhe “ armëmbajtje pa leje”.