Policia ka arrestuar 6 persona në Tiranë, pasi akuzohen se kanë qëlluar me armë zjarri në ajër gjatë natës duke terrorizuar banorët në Yzberisht.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Moskallëzim i krimit” e kryer në bashkëpunim të shtetasve I(Z). A, 50 vjeç, Y. H, 45 vjeç, A. Sh, 31 vjeç, E. D, 18 vjeç, M. D, 21 vjeç dhe J. K, 25 vjeç.
Arrestimi i tyre u bë pasi rreth orës 23:30, të datës 05.11.2021, ka ardhur një telefonatë në sallën operative që në Yzberisht, ka të shtëna me armë zjarri. Sherbimet e Policisë menjëherë kanë vlerësuar informacion dhe sapo kanë mbërritur në vendngjarje kanë konstatuar shtetasit e lartpërmenduar duke u larguar me vrap me të parë ardhjen e policisë.
Gjithashtu, gjatë tentativës për t’u larguar kanë hedhur një armë zjarri e dyshuar pistoletë, e cila dyshohet se i përket shtetasit I(Z), A.“,- thuhet në njoftimin e policisë.
Nën drejtimin e Prokurorisë punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.





