29 shtator 2015 – Këta janë 3 personat që u arrestuan nga policia një natë më parë në Vlorë. Pas një ndjekjeje për arrestimin e shtetasve që hapën zjarr për të mos iu ushtruar kontrollit të policisë, uniformat blu arritën t’i vinin në pranga.

Policia dyshon se 3 të arrestuarit, Ilir Birçaj, Vasil Birçaj dhe Martin Hitaj ishin nisur të bënin një grabitje, por mbetet ende e paqartë shënjestra e tyre.

Paqartësitë shtohen edhe për faktin se një nga të ndaluarit ishte i plagosur në krah. Grupi i personave ishte ndarë në dy makina dhe u përplas me armë me policinë e Vlorës rreth orës 23:00 të mbrëmjes së shkuar në Sherishtë. Shërbimi i policisë dha sinjal për ndalimin e automjeteve, por personat nuk iu bindën urdhrit të policisë. Në ato momente shoferi i mjetit "Land Rover" qëlloi 5 herë me pistoletë, me qëllim për t’i zmbrapsur forcat e policisë. (Lexo këtu: Policia qëllohet me armë, largohet agresori, arrestohen 3 të tjerë)

Nga hetimet paraprake, 3 shtetasit e mësipërm rezultojnë persona me precedentë të lartë kriminalë dhe anëtarë të një grupi kriminal brenda dhe jashtë vendit për vepra penale me tendencë si “Krime kundër personit” dhe “Trafikim narkotikësh”.

Gjithashtu, Martin (Erton) Hitaj, rezulton person i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 6 vite burg në shtetin italian për “Trafikim Narkotikësh”.

Pista kryesore e Policisë është përgatitja e grupit të mësipërm për kryerjen e një grabitjeje me armë zjarri dhe me maska për të fshehur identitetin e tyre.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

2 armë zjarri Automatikë model 56’,

4 krehëra të mbushur me 100 fishekë  model 56’,

120 fishekë model 56’,

18 fishekë armë gjahu të kalibrit 12 mm,

5 fishekë të kalibrit 9 mm,

3 maska pambuku të zeza,

2 kapele sportive,

1 jelek i verdhë fosforeshent,

3 palë dorëza plastike

2 palë dorëza pambuku të zeza,

2 aparatë celularë (Nokia&Iphone),

1 palë syze dielli.

Janë bllokuar dhe sekuestruar gjithashtu 3 automjete të cilat ndodheshin në vendin e ngjarjes (Land Rover – VL1553D, Benz – AA191HS, Mitsubishi – AA296AH)

Policia e Vlorës po punon  për identifikimin dhe kapjen e personave të larguar dhe po heton për sqarimin e plotë të rrethanave që do të jepen në orët në vazhdim.

/portali DurresLajm/