DURRËS, 7 shkurt 2014– Ishte vetëm 17-vjeç kur debutoi për herë të parë në Kombëtaren Shqiptare. Qemal Vogli, portieri shqiptar i adhuruar nga gjermanet. Pas ofertës së Gjermanëve ai persekutohet dhe futet në burgjet e kohës. Emri i Qemal Voglit mund të quhet padyshim një nga emrat e sportistëve që do të mbetet një nga legjendat e pashuara të portës shqiptare. Përveçse një portier i mirë ai do të ishte edhe një njeri me vlera të rralla njerëzore. Talenti i tij do të spikatse që në moshe të re dhe do të zhvillohej duke u kthyer në një nga sportistët më të dashur për ata që mundën të shohin dhe të adhuronin lojën e tij. Por fundi i tij nuk do të ishte ashtu siç do ta meritonte. Për shkak të xhelozisë, ndaj talentit të tij, ai do të diskriminohej dhe do të persekutohej, duke e detyruar që të hiqte dorë përfundimisht nga futbolli i luajtur edhe pse ai ishte vetë jeta e tij. Qemal Vogli lindi më 29 shtator të vitit 1929, në qytetin e vogël dhe futbolldashës të Kavajës. Ai do rritej shumë shpejt me sportin e futbollit, sport në të cilin do të behej një sportist madh. Pas skuadrës së Besës ku Qemali filloi karrierën e tij futbollstike, ai kaloi te Lokomotiva e Durrësit. Në vitet 1950 kur u krijua klubi Dinamo, ai u thirr dhe u bë pjesë e këtij ekipi, duke qenë një nga të parët, që arriti të fitonte shumë trofe. Që i vogël ai mbrojti për 2 kampionate portën e Besës. Pastaj për 3 vjet, atë të Yllit të Kuq të Durrësit. Por Vogli, në kontrast me mbiemrin e tij u bë shpejt i madh. Ai bëhet pronë e Dinamos, që në lindje të saj, duke fituar 6 herë titullin kampion dhe 5 herë Kupën e Shqipërisë. Titullar i padiskutueshëm në kombëtare, ku debutoi që në moshën 17-vjeçare dhe shumë përfaqësime dinjitoze në arenën ndërkombëtare. Vogli nuk ka pësuar gol për 840 minuta, prej periudhës 21 janar 1952 deri më 23 mars 1952. Me kombëtaren zhvilloi vetëm 11 ndeshje, ku ka meritë të veçantë në fitoren që kombëtarja jonë arriti ndaj Çekosllovakisë. Ai do të ishte shumë herë shpëtimtar me pritje deçizive, elegancë në fushën e blertë dhe siguri në dalje. Ishin disa aspekte të cilët e bëjnë këtë portier një nga më të mirët të gjitha kohërave në vendin tonë. Në atë kohë Vogli mund të krahasohej edhe me portierët më të mirë të evropës, pasi talenti i tij ishte vërtet i madh. Elozhet edhe në atë kohë nuk do të mungonin në drejtim të portierit shqiptar. Lev Jashin , portieri i madh rus, për portierin e shquar shqiptar ka bërë disa vlerësime maksimale. “Kur e kam parë në Moskë Qemalin kam mbetur i mahnitur. Ishte një portier madhështor. Trim dhe shumë i guximshëm. Me krahë si të shqiponjës. Ishte i aftë të reagonte në mënyrë të përsosur. Kishte reflekse jashtëzakonisht shumë të zhvilluara. Ishte shumë energjik dhe kishte shumë talent si sportist” është shprehur Jashin. Por sukseset e Voglit nuk do të ishin të rastësishme. Ato erdhën si pasojë e një dëshire të madhe për futbollin, e kombinuar me dëshirën dhe vullnetin e madh të punuar. Aftësia e tij shkonte deri aty, sa të drejtonte ekipin që nga porta, duke u bërë edhe një udheheqës i mirë i të gjithë skuadrës. Në kulmin e karrierës më 1956, ndërsa Dinamo zhvillonte disa takime ndërkombëtare në Gjermaninë Lindore, Vogli spikati për talentin dhe aftësitë e ralla. Ai ishte ndër sportistët më të mirë të turneut dhe u lavdërua shumë nga media gjermane e asaj kohe, që e ngriti në piedestal, duke e quajtur edhe “Tigri i zi”. Agjentë gjermanë donin dhe e kërkuan që të luante në futbollin profesionist evropian, pasi ai ishte një sportist i kalibrit të tillë. Në këtë moment, do të vinte edhe “rënia” e tij. Udhëheqja shqiptare e kohës u xhelozua dhe jo vetëm që nuk e lejoi që të ikte jashtë shtetit, por mbi portierin e famshëm shqiptar filloi persekutimi i tmerrshëm, burgosja, denigrimi dhe shkatërrimi i pafund. Ai u cilësua armik e tradhtar i partisë dhe pushtetit popullor. Ai shihej vazhdimisht si njeri i rrezikshëm dhe me sy të keq. Vogli u gjykua me dënimin më të rëndë për një sportist, të mos luante më kurrë në jetën e tij futboll. Çdo përpjekje e dëshirë që të merrej me sport ndalohej, ende pa filluar. Qemal Vogli do të mbetet një prej futbollistëve më të mëdhenj shqiptarë, një legjendë e gjallë e portës shqiptare. Me vlerat që e karakterizuan në sport dhe në jetë, ai gjithmonë do të mbetet një njeri dhe sportist i madh. Edhe pse jeta e tij është një kalvar i vërtetë, Qemal Vogli do të përkujtohet gjithmonë si një ndër njerëzit me vlera të ralla në sport dhe me kontribute të jashtëzakonshme.
Stërvitja me legjendën e portës Ruse, Lev Jashvin.
Vogli do të tërhiqte vëmendjen e një prej portierëve më të mirë të koës, pikërisht portierit të Dinamos së Moskës, Lev Jashvin. Jahsvin i mrekulluar nga forma e mirë që kishte paraqitur portieri shqiptar e ftoi atë të bënin një stërtije së bashku, gjatë një turneu, ku Vogli u cilësua si një nga futbollistët më të mirë të tij. Stërvitja me Jashvin i dha një tjetër stimul portierit shqiptar i cili tashmë kishte filluar të ëndërronte. Pak porierë të tjerë mund ta kishin mundësinë që të bënin një strëvitje me Jashvin i cili ishte ndër më të dëgjuarit e kohës. Por vendi dhe sistemi në të cilin u rrit dhe bënte pjesë, nuk e lejuan atë që të bentë realitet ëndrrën e tij më të madhe, të luante për një skuadër të huaj. Për më tepër sistemi u tregua shumë i reptë duke i hequr atij të drejtën për të luajtur futboll në vendin e tij.
Dënimi
Të mos luajë më asnjëherë futboll. Interesimi i madh që kanë pasur kryesisht skuadra Gjrmena epër portierin e talentuar shqiptar, bënë që ai të m0s shihej me sy të mirë nga sistemi i asaj kohe në vendin tonë. Agjentët e huaj ishin ata që kanë shrehur herë pas here interesimin për të dhe kanë bërë që ai të humbte gjënë më të shtrenjtë në jetën e tij, futbollin. Sistemi i asaj kohe mori vendimin e prerë që legjenda portës së Kombëtares dhe Dinamos, të mos luante më ansjëherë futboll. Kjo ishte një “vrasje”, për Voglin, të cilit i’u ndërpre një pjesë e jetës s ëitj shumë shpejt. Pasi doli nga burgu, ai filloi të bënte punë të ndryshme gjatë jetës së mbetuer, sigurisht me pengun e madh për të luajtur futboll. Derisa sa vdiq ai nuk arriti të ishte më në fushën e blertë si një portier me shumë vlera, por nuk i’u dha mundësia as të përgatiste brezin e ri.
Kthimi nga “arratisja” dhe takimi me Sabri Peqinin
“Për ikjen e Qemal Voglit në Gjermaninë Perëndimore, – rrëfen me kthjelltësi të admirueshme, ish-futbollisti i madh i Dinamos dhe përfaqësueses shqiptare në vitet ‘50, mjeshtri madh i futbollit, Sabri Peqini, – më kishte treguar rastësisht në Budapest, ku isha për studime për futbollin bashkë me Isuf Pelinkun, një major hungarez të cilin e njihja atje. Ai kishte qenë portier i Dozhës së Ujpeshtit në vitin 1948, kur kjo skuadër kishte ardhur në një turne në Shqipëri. Majori më pat treguar se portieri ynë i përfaqësueses, Qemal Vogli, kishte ikur në Perëndim. Këtë ai e kishte mësuar nga disa oficerë të Gjermanisë Lindore. Takimin me Qemalin, – vazhdon tregimin e tij Peqini, – e kam bërë në ambasadën tonë në Budapest. Ambasadori i Shqipërisë në Hungari, Bato Karafili, na kishte thirrur, mua si përfaqësues i studentëve sportistë, dhe disa studentë të degëve të tjera në Hungari, për të na dhënë disa udhëzime, të cilat vinin nga shteti shqiptar. Pasi mbaruam, tek po dilja, vjen sekretari i parë i ambasadës, Petrit Dishnica, dhe më thotë: Hajde pak në zyrë, se është kthyer Qemal Vogli. Shkuam në zyrën e tij dhe aty ishte i ulur Qemali, i cili filloi të qante me të madhe, ndërkohë që ne bëmë jo pak për ta qetësur, duke i thënë se tashmë ajo ka ndodhur, sepse ai vetëm thoshte: “Pse ika?”. Ambasadori Karafili më tha: “Sabri, meqenëse ti e ke shok Qemalin, mundohu të marrësh në Institut 4-5 ditë leje, për ta shoqëruar këto ditë Qemalin, derisa t’i bëhen dokumentet e duhura për t’u kthyer në Shqipëri. Ne do të japim paratë e hotelit, të ngrënies, transportit etj., për Qemalin dhe për ty”. Unë i thashë se nuk kam nevojë për fjetje dhe ngrënie, pasi i kam në shkollë, por po i them drejtorit të Institutit për këtë problem.” Ndërkohë, unë shkova tek drejtori, ia thashë problemin dhe ai më mirëkuptoi. E mora të nesërmen Qemalin dhe shkova me të për ta akomoduar në hotelin më luksoz të Budapestit, në një ishull të Danubit, me emrin Margit Siget. Unë shkoja çdo mëngjes tek hoteli, e merrja me vete dhe e shetisja kudo në parqe, pishina, kinema, teatro, bare etj., pasi ishte shumë qejfli. Ndërkohë, gjatë atyre ditëve, ne biseduam edhe për ikjen e tij, futbollin, peripecitë e jetës, të më pak se dy muajve në Gjermani dhe Austri. Për kthimin në Budapest, me kombëtaren e Hungarisë që ishte në Vjenë për një ndeshje miqësore, ai ma tregoi kështu: “Në hotelin e hungarezëve në Vjenë, më çoi një shqiptar që e kisha njohur në kampin e refugjatëve në Grac, i cili kishte ikur nga Shqipëria që në kohën e Zogut. Ai e kishte marrë vesh që në Vjenë kishte ardhur për të zhvilluar një ndeshje miqësore kombëtarja e famshme e Hungarisë, me në krye Pushkashin, dhe më tha: “A don me pa Hungarinë, se ka ardhë me lujtë në Vjenë? Patjetër, i thashë. Hajde të çoj unë me tren nga Graci në Vjenë, më tha. Shkova në Vjenë dhe pyeta për hotelin, derisa e gjeta. U afrova drejt hotelit dhe pashë para hotelit trajnerin me lojtarët, të cilët i njihja që kur kishim hangër 12 gola në Budapest nga përfaqësuesja e Hungarisë, në shtator të vitit 1950. Bukovi (i cili kishte ardhur edhe si trajner i Dozhës në vitin 1955), trajneri i Hungarisë, bashkë me lojtarët u afruan pranë meje me një lloj habie, që do të thoshte: “Po ky ç’do këtu”? Fola me trajnerin, duke u shprehur me nga dy fjalë në italisht, dy turqisht dhe dy shqip, derisa ai e kuptoi, se unë doja që dua të kthehesha në ambasadën tonë në Budapest dhe më pas në Shqipëri. Ata kishin marrë edhe gratë me vete dhe u thanë të tjerëve se “ky është portieri i kombëtares së Shqipërisë”. Më morën me vete në stolin e rezervave, në banket në darkë dhe pastaj u kthyem me tren në Budapest. Mua më vendosën të fle me Koçishin (mexallon e djathtë) dhe Ciborin (allo i majtë i përfaqësueses hungareze), ndërsa në tren isha në një sedilje me Bozhikun (mesfushor i djathtë i Hungarisë). Ai më tha që të mos flisja kur të vinte kontrolli kufitar në vijën ndarëse midis Austrisë dhe Hungarisë. Në ambasadën shqiptare në Hungari më çoi trajneri hungarez”. “Më pas, – tregon Peqini i fisëm, – ai u kthye në Shqipëri, ku siç dihet e arrestuan dhe e dënuan me 15 vjet burgim, ndërkohë që në Hungari, pas disa ditësh (23 tetor 1956) filloi Revolucioni Hungarez, siç e quajnë sot, dhe unë u ktheva në shkurt të vitit 1957.”
Pjesë nga rrëfimi i Qemal Voglit në hetuesi për arratisjen
Pas pyetjes së hetuesit, me datën 21 tetor të vitit 1956, për arratisjen e tij, Qemal Vogli është shprehur: “Më 1 gusht, së bashku me skuadrën, jemi nisur në turne në tri vende lindore. Më 4-8 gusht luajtëm në dy qytete të Çekosllovakisë dhe më 15 gusht u larguam nga Çekosllovakia për në Gjermani. Aty kemi zhvilluar me skuadrën Seitburg një ndeshje dhe më 29 gusht me Dinamon e Berlinit. Më 30 gusht kemi vizituar qytetin e Lajpcigut, 30-40 kilometra larg Berlinit. Këtu kam qëndruar dy ditë dhe në të tretën jam arratisur për në Berlinin Perëndimor. Jam arratisur më 3 shtator në orën 12 e 10 minuta. 10-12 ditë përpara ia kam thënë Sul Maliqatit dhe ai filloi të qeshte. Kujtoi se po tallesha. I thashë Sulës se u mërzita nga ndarja me gruan, se më është mërzitur jeta dhe do të shkoj andej të vdes dhe t’u bëhet qejfi disave…”
– Përse ia thatë këtë Sulës? – pyet hetuesi
– Vetëm nga mërzitja.
– Keni menduar të arratiseni herë të tjera?
– Jo, kam qenë në Rumani, Poloni, Bullgari në vitin 1950. Kam qenë në Hungari, Çekosllovaki dhe Rumani në vitin 1953, në Bashkimin Sovjetik dhe Poloni më 1954, në Bullgari më 1955. Kam qenë në Poloni, Hungari dhe Rumani dhe prej andej kemi ardhur me vapor dhe asnjëherë nuk kam menduar për t’u arratisur.
– Ju keni dashur të arratiseni…
– Nuk është e vërtetë se kam dashur të arratisem.
– Si u arratisët?
– Hangra bukë në orën 9 e 30 minuta dhe, kur dola përjashta, jam takuar me Miço Papadhopullin dhe Fatbardh Deliallisin… Deri në orën 12 e 10 minuta kam qenë me shokët. Më përpara më kishte nervozuar Gani Kodra dhe mora rrugën drejt xhades. Aty pyeta një grua plakë se nga shkohej për në Berlinin Perëndimor dhe ajo më tregoi drejtimin. Unë i rashë jo nga xhadja, por nga fusha dhe pyjet, se kisha frikë se mos diktohesha. Në orën 6 e 30 minuta arrita në një qytet të vogël dhe pyeta një djalë të ri, i cili më tha se isha 7 kilometëra larg. Pyeta për ambasadën. I thashë se jam sportist shqiptar dhe kam ardhur me një vajzë këtu, por kam harruar portofolin në shtëpi dhe i thashë të më priste një biletë tramvaji. Ai më tha ku është ambasada, më preu biletën, i tha fatorinos ku duhet të zbrisja, ndërkohë vetë zbriti një stacion para mbërritjes te stadiumi. U solla nga stadiumi dhe më pas u dorëzova në policinë e Berlinit Perëndimor.
Pretenca e plotë e prokurorit ushtarak kundër “tradhtarit” Vogli
Shoku gjyqtar
I akuzuari Qemal Vogli është sjellë për gjykim simbas akuzës që neve i atribojmë për krimin e tradhtisë kundër Shtetit, i parashikuar nga Neni 64 i KP (Kodi Penal, shën. i imi). Natyrisht, krimi për të cilin akuzohet është i rëndë, sepse ka goditur interesat shtetnore. Shokë gjyqtarë, çdo proces penal ka karakteristikat e tij, kjo e bën natyrisht dhe trupin gjykues që të ketë vëmendjen e duhur, por megjithatë mua si përfaqësues i akuzës më bie për detyrë të skjaroj veprimin armiqësor të kryer nga i pandehuri. Siç dihet, tradhtia e kryer kundër Popullit e Shtetit është krimi më i shëmtuar dhe më i rrezikshëm, sepse drejtohet kundër rendit shoqëror dhe kundër pamvaresisë të Republikës sonë Popullore. Her mbas here, elementa armiq të tërbuar kanë vepruar me dashje të minojnë indipendencën e Atdheut t’onë, por të gjith ata që janë munduar dhe do të mundohen i është rezervuar vendi dhe po i njëjti fat i rezervohet edhe të pandehurit Qemal, i cili po jep llogari në bankën e t’akuzuarit. Shoku Gjyqtar, armiqt e tërbuar të njerëzimit, imperialistët amerikanë e sherbëtorët e tyre, me anën e kërcënimeve, provokacioneve dhe luftës së ftohte, përpiqen të turbullojnë jetën paqesore te Popullit t’onë, ku nën udhëheqjen e Partisë, të mobilizuar rreth saj, po ndërtojnë jetën e re socialiste… Në muajin gusht të vitit në vazhdim ekipi i skuadrës “Dinamo” të Foot-bollit, i ftuar nga sportistët miq të vendeve të Demokracive Popullore dhe të Bashkimit Sovjetik, u nis për të zhvilluar ndeshjen e caktuar, dhe ndërmjet lojtarëve të Dinamos bënte pjesë dhe i pandehuri Qemal. Sikurse ka rezultuar, i pandehuri Qemal, tue qenë njeri megalloman dhe ambicioz fillon grindjen me shokët. Për sjelljet e tij të padenja në shoqëri këshillohet disa herë, porse këto këshilla nuk i mirëpret dhe si të tilla nuk i bajnë asnjë efekt. Mbas ndeshjes së zhvilluar në Çekosllovaki, skuadra Dinamo vazhdon turneun, shkon në Republikën Demokratike Gjermane, ku shokët gjermanë, me qëllim që skuadra mike të ishte e qetë, e dërgojnë me pushim në Kampin Bernaut, nga ku, i pandehuri më datën 3 shtator të vitit 1956, kreu aktin e tradhtisë, duke u larguar nga shokët dhe mbas disa kilometra rrugë në zonën Perëndimore, dorëzohet dhe kërkon strehim politik. Porsa i pandehuri Qemal Vogli dorëzohet, merret në pyetje nga Policia e Republikës Federative Gjermane, të cilët më vonë ua dorëzojnë padronëve të tyre francezë. Mbas marrjes në pyetje nga spiunazhi i Francës, këta e dorëzojnë te spiunazhi amerikan, ku i pandehuri mendonte se do të gjente prehje dhe qetësi. Padronet e rinj që gjeti i pandehuri, si e marrin për disa herë në pyetje dhe shetisin me makinë e të tjera, i kërkojnë informata rreth vendit t’onë mbi gjendjen ekonomike, ku i pandehuri nuk ngurron që të pohojë dhe ndër të tjera, duke dashur të fitojë besimin e tyre, çfaq pakënaqësitë e tija dhe flet kundër politikës së shtetit tonë, sikurse deklaroi edhe në hetimin gjyqsor. Të pandehurin Qemal Vogli nga Berlini e shpien në Frangfurt, ku e mbyllin në një kamp dhe e nxjerrin disa herë në fotografi, i marrin shenjat e gishtërinjve, pyesin mbi gjendjen e vendit t’onë, sidomos mbi përqëndrimin e forcave të armatosura, ku më datën 5 radiot perëndimore njoftojnë kalimin e tij dhe i bëjnë thirrje Rinisë për të ndjekur shembullin e këtij. Si qëndron disa ditë në Kamp, e transportojnë në Nurenberg, në Kampin Oleruten, ku e marrin edhe disa herë në pyetje. I pandehuri Qemal Vogli, siç thuhet një fjalë popullore, i bëri hesapet pa hanxhinë. Ky mendonte se me kalimin në Gjermaninë Perendimore pardonët amerikanë do t’i siguronin një jetë lluksoze, por kur pa se atje e mbyllën sa në një kamp në një tjetër dhe filluan t’i kërkonin që të rekrutohej si agjent për ta dërguar në vendin tonë, mendon të kalojë në Itali ose të kthehej në Shqipëri, jo sepse i pandehuri e ndjeu krimin e tradhtisë që kishte kryer… Më 22 shtator merr leje nga padroni i sportklubit dhe arratiset në Austri dhe bashkohet me ekipin e futbollit hungarez, të cilët e marrin për në Hungari dhe nga andej u dërgua në Shqipni. I pandehuri thotë se u fye rëndë nga përgjegjësi i ekipit e të tjerë dhe nuk trajtohej mirë e nuk e deshtën. Ai nuk e kreu aktin se ishte mërzitur dhe e kishte paramenduar dhe këtë e bëri të qartë dëshmitari, Sul Maliqati, të cilit disa ditë më parë ia kishte shfaqur dëshirën e arratisjes. Ai ishte oficer i M.P.B. dhe merrte rrogën pa bërë asnjë punë. Shokë gjyqtarë, megjithëse vepra është tradhti ndaj atdheut, që është krimi më i rëndë, por në rastin konkret kemi parasysh dhe disa rrethana lehtësuese që mund t’i akordohen të pandehurit, siç është rasti i përpjekjes që ka bërë i pandehuri për t’u kthyer në Shqipni, unë kërkoj që i pandehuri të deklarohet fajtor për krimin e parashikuar në Nenin 64 k.p dhe të dënohet me 15 vjet burg dhe në bazë të Nenit 34 të k.p heqjen e gradës si oficer dhe në bazë të Nenit 29 te k.p heqjen e dekoratave.
Tiranë 24. XII. 1956
Nd. Prokurori Ushtarak
Kap. (Njazi Zjarri)
Pjesëz nga Vendimi i Gjykatës Ushtarake Tiranë me 24. XII.1956
… I pandehuri Qemal Vogli largohet nga Kampi Postamp me qëllim që të shkonte në Itali, por kapet nga rojet dhe burgoset nga policia austriake. Pasi rri 20 ditë në burg dërgohet në një kamp tjetër dhe kur e sheh se nuk jetohet, e paravendos të kthehet në atdhe. Pasi mëson se skuadra hungareze kishte shkuar në Vjenë për të luajtur, largohet nga kampi, merr kontakt me të, kthehet në Budapest me të dhe më pas kthehet në Shqipni. I pandehuri pretendoi se e gënjeu një vajzë dhe e futi në Gjermaninë Perëndimore. 10-12 ditë më parë i kishte thënë Sul Maliqatit që do të ikte…
Gjykata Ushtarake Tiranë
N/Kolonel Mithat Gjakova kryetar
Kapiten i I Sokrat Sotiraj Nd. Gjyqtar
Kapiten i I Nevruz Gjerbesi
Hetuesi Petrika Mushi
Gjykata Ushtarake e dënoi Qemal Voglin me 15 vjet burg.
Pjesë nga Urdhëri për lirim nga burgu të Qemal Voglit dt. 28.11.1961
Qemal Vogli, i arrestuar me 21-X-1956, i dënuar nga Gjykata Ushtarake Tiranë me vendim NR 185 dt 24 . XII. 1956 me 15 vjet burg. Me dekret të PKP dënimi i është zbutur me 5 vjet e 5 muaj 25 ditë dhe 4 muaj e 18 ditë e fituar nga puna e tij në kampe. Në burg ka mbajtur qëndrim indiferent. Lirohet nga burgu sot me 28.11.1961.
Komanda e Repartit NR 309 Laç.
Lin Shllaku për gjyqin e Qemal Voglit
“Për festat e Nëntorit të vitit 1956 erdha në Tiranë te Partizani. Në Tiranë ishte një interesim i madh për gjyqin e Qemalit, ngaqë ai ishte portieri më i mirë në Shqipëri. Unë kisha shumë dëshirë për ta parë Qemalin dhe për ta dëgjuar, pasi kishte një emër vërtetë të madh, sepse e meritonte. Në gjyq doli se Qemali rastësisht ka mbetë në Perëndim dhe kishte bërë çmos për t’u kthyer. Në një ndeshje që luanin hungarezët në Vjenë, ai shkoi dhe i takoi ata dhe u shpjegoi se si kishte mbetur në Berlinin Perëndimor. Vetë stadiumi i Berlinit, treçerekun e kishte në Lindje dhe pjesën tjetër në Perëndim. Hungarezët e kanë marrë me dëshirë të Qemalit dhe e kanë sjellë në Budapest. Aty e presin në ambasadë, e trajtojnë mirë dhe e shëtisnin atje. Në kohën që e kanë hipur në avion, i kanë vënë hekurat… Atë ditë u dënua me 15 vjet burg. Salla e gjyqit ishte plot dhe aty kishin ardhur edhe disa futbollistë të tjerë me emër. Në gjyq nuk pati reagime të ashpra ndaj tij nga gjyqtarët e prokurorët. Gjatë procesit ai dëshmoi se nuk donte të qëndronte në Gjermani. Si përfundim nga sjellja e mirë dhe puna në kanalin e Thumanës, ia shkurtuan dënimin. Kur shkonim ne të Partizanit për të luajtur në Shkodër, përherë hidhnim sytë për ta parë Qemalin dhe, kur ishte aty, ia bënim me dorë njëri-tjetrit. Kishim dëshirë ne dhe ai të përshëndeteshim,” – tregon ish-kapiteni i Partizanit dhe i kombëtares, Lin Shllaku.
Shyqyri Rreli: Aftësitë e Qemal Voglit, si të shqiponjës
“Qemali ishte portieri më i mirë i kohës, pasi aftësitë e tij teknike e taktike, jo vetëm unë që isha në qendër të mbrojtjes, por e gjithë skuadra, e ndjente “kurrizin”, “shpinën” të ngrohtë. Sigurisht, merita e daljes kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë disa herë rresht në ato 6 vite të Qemalit te Dinamo, ishte e skuadrës, por ishte edhe veprimtaria e lojës së Qemalit në portën tonë. Ai kishte intuitë, e ndiqte aksionin e kundërshtarit që në fillesat e tij, jetonte me lojën gjatë gjithë kohës dhe asnjëherë nuk u gjente në befasi. Aftësitë teknike i kishte të mëdha, ndonëse në atë kohë nuk kishte doreza, në shi dhe në baltë atij nuk i ikte topi nga gishtat që i kishte si “thonjtë e shqiponjës”. Kjo vinte si rezultat i punës dhe i këmbënguljes, ku ai përgatitej edhe pas kohës së stërvitjes së skuadrës. Për reflekset që kishte, ai luante pingpong shumë mirë, luante tenis shkëlqyer. Ai shkonte tek tenisti Nallbani dhe stërvitej e luante me të. Sali Nallbani ka qenë themeluesi i këtij sporti, që në kohën e Zogut në Shqipëri. Pas stërvitjes ai na merrte për t’i gjuajtur për shumë minuta dhe hidhej sa në një cep të portës, ashtu edhe në tjetrin. Pra, kishte talent të madh dhe punë të madhe. Qemali në lojën e ajrit ishte absolut, i sigurt në daljen deri në 16-metërsh, e zotëronte zonën e portës, bile bënte edhe rolin e trajnerit, orientonte mbrojtjen. Nuk ishte shumë figurativ, sepse ishte shumë pozicional. Kishte aftësi si në pritjet e topave në trekëndësh, ashtu edhe poshtë. Në qoftë se Sul Maliqatit i thonin “Macja e zeze” këtij i thonin “Shqiponjë”. Kjo e bënte në kolektiv shumë të pranueshëm dhe shumë të thjeshtë, jo vetëm me lojtarët e formacionit, por edhe me lojtarët e rinj, të cilët i përkrahte shumë”
“Ai nuk e meriton të duartrokitet më”
“Kur doli Qemali prej burgut pas 5 vjetësh, berberi, që qethte ministrin e brendshëm, Kadri Hazbiu, i tha atij që ta lejojë Qemalin të shkojë në Vlorë, pasi Flamurtari e kishte kërkuar, madje i kishin thënë edhe Hysni Kapos. Unë isha prezent aty. “Jo, – i tha Hazbiu, – ai nuk e meriton të duartrokitet më”. Në atë kohë, Qemali ishte 32 vjeç dhe mund të luante edhe shumë vjet.
Oficerët na bërtitën: “Ai është armik!”
“Kujtoj një rast, kur ishim të grumbulluar në Kovalishencë në Durrës dhe po goditja në portë te portieri Tas Mitrushi (Anastas Mitrushi) dhe Qemali ishte aty. Ai i tha: ”Kur godet Lini, shikoje lëvizjen e këmbës, me qëllim që ta kuptosh se ku do ta gjuajë topin, – dhe u fut vetë në portë për t’ia demonstruar. Oficerët na bërtitën, duke na thënë: “Pse e lejuat atë të futet në portë, se ai është armik”(!). Unë iu ktheva: “Po ju pse e latë të hynte brenda?”
Vdekja
Në momentet e fundit të jetës, i veshur me bluzën e Kombëtares. Por jeta e Qemal Voglit pavarësisht të gjitha vështirësive nuk do të mbyllej në atë sistem i cili nuk i dha mundësine të vazhdonte futbollin. Vogli vdiq në demokraci dhe në momentet e fundit, ishte i rrethuar nga miq dhe të afërm. Ai kishte të veshtur bluzën e Kombëtares me numrin 75-të që kishte të bënte edhe me përvjtorin e tij. Bluza kishte emrin e një tjetër portieri të stampuar, që ishte Foto Strakosha. Ai u nderua me një sërë titujsh duke si “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe “Nderi i Sportit Shqiptar”. Por këto tituj ishin pak për të përkujtuar figurën e madhe që ksihte krijuar. Sportistë të tillë janë një dhuratë e cila vjen shumë rallë dhe për Voglin, talenti ishte një dhuratë, por që nuk mundi ta dhuronte për publikun e gjerë./agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





