Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) u ka kërkuar zyrtarëve të shëndetit publik në të 50 shtetet amerikane të përgatiten për shpërndarjen e një vaksine potenciale të koronavirusit për grupet me rrezik të lartë ndoshta që në fund të tetorit, sipas dokumenteve të botuara nga agjencia të mërkurën.
Koha e zhvillimit të një vaksine ka marrë një rëndësi politike ndërsa Presidenti Donald Trump kërkon rizgjedhjen në nëntor, pasi premtoi miliarda dollarë fonde federale për një vaksinë që do të parandalonte COVID-19, që ka vrarë më shumë se 180.000 amerikanë.
“Për arsye të planifikimit paraprak, CDC-ja u dha shteteve modele të caktuara të planifikimit ndërsa punojnë me plane specifike shtetërore për shpërndarjen e vaksinave, duke përfshirë ndoshta sasitë e kufizuara të vaksinave në tetor dhe nëntor”, tha një zëdhënëse e CDC-së për agjencinë Reuters.
Gazeta New York Times kishte raportuar më herët se CDC-ja kishte kontaktuar zyrtarë në të 50 shtetet dhe pesë qytete të mëdha për informacionin e planifikimit.
Eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive Anthony Fauci më herët të mërkurën tha në kanalin MSNBC se bazuar në nivelin e pjesëmarrjes së pacientëve në provat e vaksinave të COVID-19 në proces, mund të ketë të dhëna të mjaftueshme klinike për të ditur deri në nëntor ose dhjetor nëse një nga vaksinat është e sigurt dhe efektive.
Dokumentet e postuara në internet nga New York Times tregojnë se CDC-ja po përgatitet që një ose dy vaksina të COVID-19 të jenë në dispozicion në sasi të kufizuara qysh nga fundi i tetorit.
Vaksinat do të viheshin në dispozicion pa pagesë së pari për grupet me rrezik të lartë duke përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor, personelin e sigurimit kombëtar dhe banorët dhe stafin e azileve për të moshuarit, tha agjencia në dokumentet e publikuara në internet.
Rregullatorët në mbarë botën në mënyrë të përsëritur kanë thënë se shpejtësia e zhvillimit nuk do të rrezikojë sigurinë e vaksinës, pasi rezultatet do të burojnë nga kryerja e provave paralele të bëra në sekuencë. Por siguria nuk i kanë bindur të gjithë.
Rezultatet paraprake të një sondazhi të kryer gjatë tre muajve të fundit në 19 vende treguan se vetëm rreth 70% e të anketuarve britanikë dhe amerikanë do të merrnin një vaksinë COVID-19 nëse do të jetë e disponueshme.
Kompanitë farmaceutike përfshirë Moderna Inc, AstraZeneca Plc dhe Pfizer Inc janë duke udhëhequr garën për të prodhuar një vaksinë të sigurt dhe efektive për sëmundjen.
Dokumentet e CDC-së përshkruajnë dy kandidatë për vaksina që duhet të ruhen në temperatura minus 70 dhe minus 20 gradë Celsius. Këto kërkesa për ruajtjen e vaksinës përputhen me profilet e vaksinave që po zhvillohen nga kompanitë Pfizer dhe Moderna. /VOA/