Operacioni “Rekrutimi”, i finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë goditi një rast të shfrytëzimit për prostitucion dhe përshtatjes së ambienteve për prostitucion.
Vihet në pranga, për shfrytëzim për prostitucion dhe për mbajtje të qendrave të masazheve për shfrytëzim prostitucioni, menaxheri i një qendre masazhi si dhe një klient ndërsa janë proceduar penalisht dhe 3 shtetase, për veprën penale “Prostitucioni”.
NJOFTIMI I POLICISË
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga menaxheri i një qendre masazhi, kanë organizuar punën për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.
Në bazë të provave të grumbulluara, pas një hetimi disamujor u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Rekrutimi”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi R. F., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas, në cilësinë e menaxherit të qendrës të masazhit, rekrutonte femra nëpërmjet rrjeteve sociale, me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronte që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale.
Gjithashtu, në vijim të operacionit u arrestua në flagrancë një shtetas 30-vjeçar (klient i qendrës së masazhit) dhe u proceduan penalisht 3 punonjëse të qendrës së masazhit, për veprën penale “Prostitucioni”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.





