Qendra Kulturore e Fëmijëve në Durrës është transformuar nga një hapësirë e vjetër dhe e amortizuar në një qendër të denjë, me hapësira moderne e miqësore për rreth 1 000 fëmijë që frekuentojnë qendrën, të grupmoshës nga 6 deri në 15 vjeç.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës, ku ndër disa inspektime i shoqëruar nga kryetarja e bashkisë Emiriana Sako, pa nga afër dhe qendrën e rikonstruktuar.
“Qendra kulturore e fëmijëve kryeministër ka qenë prej disa vitesh e amortizuar, por dhe më pas tërmeti bëri një goditje, dëmtoi disa pjesë të saj. Më pas vendosëm me buxhetin e bashkisë që të bëjmë ndërhyrje. Është një objekt i cili është ndërtuar pjesërisht në vitet 30 gjatë kohës që është ndërtuar Banka e Shqipërisë dhe pjesa tjetër në vitet 70, pra janë bashkuar dy godina. Gjatë pjesës së rikonstruksionit u përpoqëm që ato elementë të cilët ishin të objektit të vjetër të dilnin në pah për të treguar kështu dhe rrugën apo kohën në të cilën është jetuar kjo godinë”, u shpreh Sako.
Me një sipërfaqe totale prej rreth 2 000 metrash katrorë, në qendër ofrohen kurse në art, teknologji, gjuhë të huaja si dhe në sportet e tavolinës.
“Dy vitet e fundit jemi përfaqësuar në “EuroSong” me fëmijë nga kjo qendër. Gjithashtu edhe në olimpiadat ballkanike të Matematikes. Kati që është poshtë që ka vetëm aksesin nga rruga, e kemi parashikuar që të jetë një galeri pikture kryesisht për fëmijët dhe kemi menduar t’i vendosim emrin e piktorit Ibrahim Kodra sepse nuk kemi institucione që mbajnë emrin e tij. Kemi dhe tarracën që për hapësirën që ka, do të shfrytëzohen për aktivitete të ndryshme gjatë pranverës dhe vjeshtës”, u shpreh kryebashkiakja Sako.
Rikonstruksioni i qendrës ka sjellë edhe rikonceptim të disa ambienteve në qendër, të cilat tanimë presin fëmijët me kushte dinjitoze e moderne.