28 korrik 2015 – E krijuar që në vitin 2001, Qendra Ditore e të Moshuarve në Durrës, e vetmja në llojin e saj në qytetin bregdetar është kthyer në një strehëz të vërtetë sociale dhe argëtuese për shumë të moshuar që janë të vetmuar dhe në gjendje ekonomike jo të mirë.

Në këtë qendër, të moshuarit përfitojnë disa shërbime krejtësisht falas si atë psiko-social, mjekësor, ushqimor dhe sanitar, për të cilët shërbehet nga një personel prej 15 personash. Katër prej tyre janë punonjës socialë që qëndrojnë në çdo moment pranë tyre.

Në një bisedë për agjencinë e lajmeve “Dyrrah”, përgjegjësja e kësaj qendre Borana Rubjeka, shprehet se kërkesat për t’u abonuar kanë ardhur në rritje.

“Aktualisht pranë kësaj qendre kemi 110 të moshuar gra dhe burra, aq sa realisht kemi dhe kapacitetin maksimal, por mund të them se kërkesat për t’u abonuar janë të shumta, madje kanë ardhur në rritje.

Duhet thënë se kushtet këtu janë mjaft të mira. Veç trajtimit psiko-social dhe mjekësor, sa i përket ushqimit këtu ofrohet çdo mëngjes një kafe ose çaj si dhe kanë çdo ditë falas vaktin e drekës.

Nuk kanë munguar dhe aktivitete të ndryshme sociale dhe kulturore brenda dhe jashtë qendrës ku kemi një bashkëpunim të rregullt me disa institucione dhe shkolla”, thotë Rubjeka. 

Qendra ditore e të moshuarve administrohet dhe financohet nga Bashkia e Durrësit. 

/M.F. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/