DURRËS, 29 korrik 2013 – Qendra e trajnimit të portit të Durrësit do të mbajë emrin e konsulentit Jërn Shtojslof (Jörn Steusloff), i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ndryshimin tërësor të Portit të Durrësit, njofton drejtoria ekzekutive e Autoritetit Portual Durrës.
Jörn Steusloffi ka qenë konsulenti i portit të Durrësit, duke filluar nga vitit 1999. Në këta 14 vjet Jërn Shtojslofi ka krijuar raport të ngushtë dhe efektiv me projektet dhe zhvillimin e portit e Durrësit.
Jërn Shtojslofi dhe njohja e thellë që ai ka për portin dhe burimet e tij njerëzore, menaxherët dhe aktorët e tjerë portualë janë vënë në shërbim të zhvillimit dhe modernizimit të Portit më të madh të vendit.
Qendra e trajnimit “Jörn Steusloff” e Autoritetit Portual Durrës (APD), e cila do të nisë të shfrytëzohet si shkollë trajnimi më 1 shtator të këtij viti, është zhvilluar si projekt në portin e Durrësit që në vitin 2002.
Zhvillimi i qendrës së trajnimit “Jörn Steusloff” është realizuar nën formatimin e një qendre kombëtare të trajnimit të porteve, dhe me rekomandimet e UNCTAD, Bankës Botërore dhe shërbimeve të konsulencës së HPC, thotë APD.
Info
Emri mbiemri: Jërn-Ulrih Shtojslof (Jörn-Ulrich Steusloff)
Emri i firmës: HPC Hamburg Port Consulting GmbH
Pozicioni: Ekspert politikash dhe menaxhimi portual
Profesioni: Operator porti, ekonomist transporti dhe kapiten anijeje
Datëlindja: 1943
Vitet me firmën: 34
Shtetësia: Gjermane
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





