Data 2 gusht është afati i fundit i lënë në dispozicion të kompanive të ndërtimit për t’u bërë pjesë e tenderit “Rikonstruksion i Pallatit të Kulturës”.
Me fondin 496 274 322 lekë, bashkia Durrës parashikon të realizojë rikonstruksionin e godinës 3 katëshe, që shërben si Qendër Kulturore dhe Teatër.
Projekti parashikon restaurimin dhe riorganizimin e të gjitha hapësirave të godinës, e cila prej vitesh shfaq probleme të ndryshme që lidhen me lagështirën dhe rënien e suvasë.
Në përfundim të rikonstruksionit, ambientet e ndryshme të Qendrës Kulturore dhe Teatrit “Aleksandër Moisiu” do të restaurohen krejtësisht, siç duket edhe në fotot që shoqërojnë relacionin arkitektonik të hartuar nga firma projektuese.


“Me këtë projekt synojmë të krijojmë një ndërtesë shumëfunksionale dhe inovative, e cila i përgjigjet dëshirave dhe nevojave të komunitetit duke stimuluar zhvillimin e veprimtarive artistike dhe kulturore.
Projekti synon të stimulojë rritjen sociale dhe ekonomike përmes përfshirjes në ndërtimin e funksioneve, që kanë rëndësi në një shkallë urbane, të tilla si:


1- Qendra teatrale, që synon trajnimin e valltarëve, muzikantëve dhe këngëtarëve të rinj, promovimin e përhapjes së kulturës muzikore dhe artistike në qytet;
2- Qendra komunitare, një vend eksperimentimi në dispozicion të qytetarëve me hapësira për përdorim kolektiv dhe shërbime të ofruara për territorin;
3- Bërthama e ekspozitës së Arteve, e hapur për qytetarët për koncerte, shfaqje dhe ekspozita”,- shkruhet në relacion.

Projekti synon rritjen e kapacitetit të sallës kryesore duke e cuar numrin e vendeve të spektatorëve në 360, nga 250 që është aktualisht.
Ndërhyrja në ndërtesë do të krijojë kushte të përshtatshme për aksesin dhe lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar (P.A.K). Kjo gjë nënkupton prezencën e rampave apo projektimin e hapësirave në një nivel duke e lehtësuar lëvizjen e tyre.

Projekti i restaurimit të jashtëm/fasadës së ndërtesës synon ruajtjen dhe evidentimin e vlerave te trashëgimisë kulturore, historike, urbanistike e mjedisore të qendrës së qytetit të Durrësit.
Qendra Kulturore Durrës pritet të jetë funksionale deri në muajin nëntor dhe më pas do t’i nënshtrohet rikonstruksionit 12 mujor.
M.B.





