Rritja e ndjeshme gjatë viteve të fundit e numrit të fëmijëve që shfaqin çrregullime të spektrit të autizmit në grupmoshën 1-6 vjeç ka ndërgjegjësuar prindërit për t’i drejtuar të vegjlit e tyre pranë klinikave të specializuara.

Ndërhyrja që në moshë të hershme, sapo vihen re anomalitetet e para, është decizive për mbarëvajtjen e zhvillimit të fëmijës në vitet në vijim theksojnë specialistët e fushës.

“Terapitë të cilat zhvillohen në moshat e hershme janë nga më të ndryshmet. Efikasiteti i tyre është i provuar nga Shoqata e Psikologëve dhe Psikiatërve amerikanë. Janë lloje të ndryshme terapish, ndër të cilat mund të përmendim metodën ABA, modelin e Denverit, terapinë e lojës dhe të zhvillimit etj”,– thotë për “DurrësLajm” specialistja e zhvillimit Gentiana Kapllani.

“Nga përvoja jonë shumëvjeçare në këtë fushë është vënë re që fëmijët që vijnë përpara moshës 2-vjeçare për ndjekje terapeutike kanë një kohë më të shkurtër rikuperimi, sesa fëmijët që vijnë në një kohë më të vonë”,– na tregon drejtuesja e TISS Durrës, Eni Xhafa.

Pranë qendrës së shërbimit dhe trajtimit social TISS Durrës aktualisht trajtohen 80 fëmijë, për të cilët konsultat psikologjike nga ekipe multidisiplinare të kualifikuara kanë përcaktuar edhe terapitë më efikase për trajtimin e tyre.

“Fokusi i Qendrës TISS është ndërhyrja e hershme. Në të dy qendrat TISS që ne kemi në Durrës marrin trajtim grupmosha e fëmijëve nga 1-6 vjeç. Ne fillimisht në qendër procedojmë me një vlerësim të fëmijës nga një ekip multidisiplinar i përbërë nga mjeku neopediatër, specialisti i zhvillimit dhe psikologu klinik. Nga ky vlerësim ne përcaktojmë se cilat janë vështirësitë e fëmijës në secilën fushë të zhvillimit dhe hartojmë një program për ndërhyrjen që do të ndjekë fëmija gjatë pjesës së terapisë”,– thotë Xhafa.

Çdo tre muaj, fëmijës i ribëhet vlerësimi psikologjik për të konstatuar ecurinë e terapisë dhe njëkohësisht për të përcaktuar progresin e saj në muajt e ardhshëm. Pranë kësaj qendre nuk trajtohen vetëm fëmijë nga qarku Durrës, por edhe nga shumë qytete të tjera të vendit. Njëkohësisht ka disa familje që janë kthyer nga emigracioni për ta trajtuar në Durrës problemin e zhvillimit të fëmijës së tyre.

Kur një prind përballet me një problem zhvillimi, sikurse janë çrregullimet e spektrit të autizimit, prindërimi bëhet edhe më i ndërlikuar. Krijimi i një rrethi personash, të cilët mund të ofrojnë ndihmë të specializuar dhe mbështetje, është shumë i rëndësishëm. Qendra TISS Durrës me dy ambientet e saj, stafin profesional dhe terapitë individuale të përshtatura për çdo fëmijë garanton për çdo prind bashkërritjen e shëndetshme të të vegjëlve.

M.B.