Lokomotiva e 3 Nentorit 1957. Nga e majta : Nysret Shyti, Nazmi Filja, Niko Bespalla, Nikolla Çeta, Thoma Thimjo, Raq Manushi, Xhoxh Pasku, Zyhdi Ruli, Dhimitër(Mile) Qoshja, Taq Murat


 

Kanë kaluar muaj dhe vite pa hesap dhe ja Gazeta "Dyrrah" vazhdon në angazhimet e tij historike, për të evidentuar momentet kulmore të futbollit durrsak. Natyrisht pas viteve 90-të Teuta e Durrësit e dominoi futbollin shqiptar, sa që me 30 prill 1994 kurorëzohet për herë të parë me titullin kampione e Shqipërisë. Mbase në një moment tjetër do t’i kthehemi këtij momenti nostalgjik dhe kur të gjithë në Durrës atë ditë jemi ndjerë kryelartë.

Kurrë më parë nuk kemi qenë “kapelja” e futbollit shqiptar dhe të tjerët të kthehen në vagona të një Lokomotive të pandryshuar në nostalgji, ku u duk veçanërisht në atë dite tërhiqte në formë vagonësh ekipet e tjera të futbollit shqiptar. Do të shkruajmë edhe për këtë rast, ku durrsakët e gdhinë të gjithë jashtë shtëpive të tyre, duke ndezur zjarret simbol të ngrohtësisë së tyre me futbollin.

Por kjo që do t’ju rrëfejmë në këtë shkrim, është një rast tjetër i denjë për t’u kujtuar, ku arkivat tona të pasura tentojnë ta përjetojnë në emocionet dhe drithërimat e dikurshme.

Korrigjojmë pasaktësinë

Historia, për pasojë edhe ajo e futbollit, vlen të evidentohet ashtu si edhe në fakt ka ndodhur. Ngjarja që do të përshkruajmë, i takon 3 nëntorit të vitit 1957. Futbolli durrsak kacafytej me të fortit e kohës dhe ndjente mungesën e mbështetjes. Është viti 1956 që ekipi i Durrësit, me emërtime të ndryshme para kësaj, quhet Lokomotiva.

Siç e kemi shpjeguar më parë, absolutisht si riminishencë e politikave komuniste të vendeve të lindjes, por si koherencë e Durrësit si nyje kyçe e transportit hekurudhor në Shqipëri. Në stadiumin kombëtar Qemal Stafa, me 3 nëntor 1957, ka ndodhur një dramë e vërtetë, një ankth tejet i veçantë, ku padurimi, befasia, e pabesueshmja, e të tjera epitete në këtë vazhdë ishin të lidhura bashkë si hallkë të një zinxhiri.

Duam të korrigjojmë interpretimet historike, se ndeshja Partizani –Lokomotiva e vlefshme për finalen e kupës së Shqipërisë në vitin 1957, është zhvilluar me 3 nëntor në Qemal Stafa dhe jo në muajin maj. Nuk mund të trajtosh si praktikë e sotme, atë që në fakt ka ndodhur dje. Finalet e Kupës së Shqipërisë tani zhvillohen pa diskutim në fund të muajit maj, kur kampionati kombëtar i mbyll faqet e tij para kësaj kohe.

Ndërsa në vitet 50-të gjërat nuk ishin kaq shumë të kristalizuara, të kthyera në rregullsi të palëvizshme si në kohën e tanishme. Dhe parregullsia tjetër jo e vogël është se, ekipi durrsak është quajtur Teuta. Na vjen mirë që më në fund errdhi rasti, që të dyja këto pasaktësi t’i ndreqim tek Dyrrahu ynë.

Asnjëherë 3 nëntori 1957 nuk është interpretuar

Kemi fletuar shumë faqe në internet, teksa kërkojmë historinë e Lokomovës dhe Partizanit në vite. Për këtë ndeshje finale, me kontradiktat mbi datën e saktë të saj, është shkruar vetëm kaq: Partizani – Lokomotiva 2-0. Qesharak bëhet dukuria, kur Lokomotivës së atij viti e quajnë Teuta, emërtim të cilin e mori në shtatorin e vitit 1992. Jemi ndër dëshmitarët e heqjes së emrit të njohur Lokomotiva, zëvëndësuar me emrin Teuta.

Edhe tani që shkruaj këto rradhë, mbroj energjikisht pozicionin që emri Lokomotiva nuk duhej zëvëndësuar pasi ajo mbetet historia e gjallë e shumë brezave. Absolutisht se gjërat janë me pozicione politike, të cilat as i kemi patur dhe as ngutemi t’i kemi edhe tani. Sporti është tjetër gjë dhe politika gjithashtu tjetër gjë. Tradita nuk ka të bëjë me sistemet, ndonëse ndërhyrja e tyre jo në pak raste ka qenë dhe mbetet brutale.

Ashtu si njerëzit e kësaj toke ende e kanë të vështirë të mësohen me lekun e ri, duke i bërë shumë hesape në versionin e lekut të vjetër edhe sportëdashësit vazhdojnë ende ta quajnë Teutën e tanishme me emrin e Lokomotivës së djeshme. Ndarja në rrokje lo-ko-motiva nga mijrat sportëdashës e simpatizantë të futbollit durrsak edhe tani mbetet drithëruese, unikale dhe mjaft ngacmuese në nxitjen e ekipit për të përmbysur shifrat e lojës.

Por ajo që ndodhi me 3 nëntor 1957 në Qemal Stafa, 55 vjet më parë, kurrë nuk është marrë guximi për të shkruar dhe aq më pak të interpretohen ato shifra të ftohta dhe formale 2-0 për Partizanin. Sepse për ne dhe historinë, Lokomotiva atë dita moralisht ka dalë fituese sepse partizanasit e kupolës politike, shënuan dy gola pa portier, me një ekip të dorëzuar plotësisht.

Përballë mbijetesa dhe mbretërit e futbollit shqiptar

Formacioni i Teutës i kësaj dite nuk ishte kushedi se çfarë, por merita e atij 11-tëshi historik mbetet qëndresa që i bënë makinerisë gjigande të futbollit shqiptar të kohës Partizanit të Tiranës. Nën mbështetjen e fuqishme të Beqir Ballukut dhe Petrit Dumes, Partizani kishte grumbulluar ajkën e futbollit shqiptar. Grumbullimet e ndodhura në të ashtuquajturin Grupi i Partizanit, kanë  qenë ëndërrimtare për çdo sportist.

Edhe tani kur bisedon me shumë prej tyre, e ndjejnë se kur flasin për grupin e Partizanit flasin për pranverën e tyre sportive. Finalet e kupës së Shqipërisë bëheshin vetëm me një takim dhe për të qenë të sigurtë që trofeu të mbetesh në Tiranë, pikërisht këtë ndeshje të vetme ishte caktuar në kryeqytet.

Kam biseduar hollësisht për këtë dyluftim të pabarabartë ndërmjet Lokomotivës dhe Partizanit, me shumicën e protogonistëve të ekipit durrsak dhe kam ndjerë krenari për mënyrën se si është bërë ajo qendresë. Në se ndonjë ditë do të merret nisma për të shkruar për historinë e futbollit të Durrësit, padyshim dhe pas asnjë mëdyshje, nuk mund t’i anashkalosh 3 nëntorit 1957 e cila mbetet nga faqet më pikante, mbreslënëse e denjë për të mos e harruar kurrë të futbollit të qytetit.

Dhe Dyrrah merr përsipër për herë të parë, që në numurin e rradhës, pas 55 vitesh t’i bëj jehonë kësaj ngjarje pikante dhe mburrëse për çdo simpatizant të futbollit durrsak. Në Qemal Stafa me 3 nëntor 1957, zbret kjo Lokomotivë: Në portë Mile Qoshja. Mbrojtës i majtë Zyhdi Ruli, në qendër mitiku Taq Murati dhe në të djathtë Thoma Thimjo. Mesfushorë: Nysret Shyti, Nazmi Filja (i biri i gjyqtarit të njohur Besim Hamdiu-Qorri), Xhoxhi Pasku, Nikolla Çeta dhe në sulm Raq Manushi, Niko Bespalla dhe Mustafa Saraçi. Mbi tokësorët shqiptarë të futbollit, ata që konsideroheshin të frikshmit e këtij futbolli ishin: Sul Maliqati, Besim Fagu, Fatbardh Deliallisi, Iljaz Dingu, Gani Merja, Osman Mema, Refik Resmja, Miço Ndini, Miço Papadhopulli, Kolec Kraja, Roza Haxhiu.

Gjithashtu me ushtarakët luanin edhe të famshmit Simon Deda, Lin Shllaku, Robert Jashari me trajner Rexhep Spahiun. Lokomotiva dhe Partizani ndryshonin si nata me ditën. Një Lokomotivë që përpiqet për mbijetese dhe një Partizan që mbretëronte futbollin shqiptar. Si ndeshje finale, stadiumi Qemal Stafa nuk kishte asnjë vend bosh. Ishte shkulur një Durrës i tërë për të parë ndeshjen, ndër to edhe shumë gra e vajza.

Penalltia e Bespallës djeg edhe tani

Drama e kësaj ndeshje vjen e thuret minutë pas minute. Gjyqtarit ndërkombëtar Ramazan Kuka i takoi të jetë kryesori i ndeshjes. Jo vetëm media e kohës, por edhe opinioni sportiv e paragjykonin me të drejtë fitoren me goleadë të Partizanit. Përbërja e saj ishte me futbollistë të ekipit kombëtar, që vetëm pas një viti nga ky takim, do të shkruante nga faqet më të shkëlqyera të futbollit shqiptar duke mahnitur në lojrat ushtarake të Laipsigut.

Ka qenë ai vit, kur Maliqati mori nofkën macja e zezë nga shtypi gjerman. Mustafa Saraçi e trajton si një ndeshje të papërsërtishme. “Ishim betuar, thotë Saraçi t’i rezistonim këtij Partizani të papërballueshëm. Ishin futbollistë me shumë emër, të frikshëm dhe ne dukeshim si “lepra” përpara tyre. O zot kush na e dha tërë atë fuqi, teksa luanim mrekullisht me topin dhe i krijuam kundërshtarit vështirësi. Ushtarakët e lartë nga tribuna qendrore e Qemal Stafës thërritnin dhe kërkonin gol. Ishte ndeshje finale dhe për kohën kjo përbënte eveniment për çdo ekip.

Të gjithë lojtarët kanë qenë në formë. Mile Qoshja fluturonte, e mbrojtja me Muratin e paharruar mbyllte të gjitha shtigjet. Në mesfushë luanim të gjithë dhe ktheheshim edhe në mbrojtje. Por edhe sulmonim. Manushi ishte si era dhe në krahun e djathtë u hapi probleme mbrojtjes autoritare të Partizanit të drejtuar nga Besim Fagu. Atë ditë në mos gabohem, ka patur debutimin edhe i riu Nikolla Bespalla, i njohur për gjuajtjet e tij të fuqishme.” Pjesa e parë mbyllet 0-0.

Tifozëria durrsake shkulej së inkurajuari. Dukej se Partizani nuk do ta kishte të lehtë. Psikologjia e Lokomotivës ishte e qartë: atyre nuk mund t’i kritikonte e t’i kërkonte llogari, pse do të humbisnin në Qemal Stafa me Partizanin. Sepse një gjë e tillë pritej se do të ndodhte. Por Partizanin do ta kryqëzonin ushtarakët e tij, sepse nuk po i krijonte shqetësim Dinamo apo Tirana, por një Lokomotivë e vogël dhe pa pretendime.

Por atë ditë, durrsakët u bënë heronj në kuptimin figurativ dhe as nuk kishin ndërmënd të thyheshin. Loja po shkonte drejt fundit. Minuta e 88-të. Bespalla pengohet brenda zonës së mbrojtjes dhe gjyqtari Kuka akordon penallti. “Stadiumi mori zjarr nga durrsakët, kujton Sul Maliqati. Tifozat e Partizanit që ishin me mijra, mbetën në heshtje dhe nuk mund ta besonim se çfarë po bëhej.

Më kishte thënë Parapani njëherë: O Sulë mba disa guriçka tek porta, t’i keshë për të mashtruar futbollistët kundërshtarë në rast penalltie. Dhe me shumë marifet i vendosa disa gurë të vegjël poshtë topit. Tek durrsakët po diskutohej se cili do të godiste penalltinë. Dukej që fitorja e Lokomotivës ishte fakt i kryer. Çdo gjë varej nga unë dhe nga Bespalla. Do ti që Bespalla u tregua “kopil”.

Para se të gjuante, e ngriti topin dhe pastroj vendin e penalltisë. Por duhet thënë se isha në një formë të shkëlqyer. Bespalla mori vrull. Qetësi dhe ankth në shkallët e stadiumit. Vura re që ekipi i Lokomotivës i kishte kthyer kurrizin portës tonë, sepse ishin në tension të jashtëzakonshëm, nuk mund ta shikonin këtë çast. Bespalla mori vrull dhe godet shumë fort me trinë. Topi po i drejtohej rrjetës në këndin e sipërm. Jam hedhur fluturimthi dhe e preka topin me majën e gishtit sa e devijova. Kishte ndodhur mrekullia”. Na duhet ta vazhdojmë t’i qendrojmë besnik realitetit tjetër të patreguar. I gjithë ekipi i Lokomotivës pas humbjes së penalltisë nuk luajti nga vendi. Kishin ngrirë të gjithë.

Nga kjo përfitoi Partizani që shënoi dy herë jo vetëm me portë bosh, por tashmë pas asnjë kundërshtar rival, të cilët pas penalltisë ndodheshin formalisht në fushë. Kështu Lokomotiva humbi nga shanset më të mëdha të historisë së saj, për të qenë fituese e Kupës së Shqipërisë që në vitin 1956, ndaj një kundërshtari që kurrë nuk e kishte menduar se mund t’i vinte e keqja nga durrsakët. Kjo është historia, apo drama e 3 nëntorit 1957.