Itali, 20 mars 2014 – Financierët e provincës së Askolit, mbrëmjen e së mërkurës, kishin ngritur një postbllok në pritje të “gjahut”. Bëhej fjalë për një informacion të kolegëve të tyre me shërbim në Shqipëri. Informacioni ishte i saktë. Financierët ndalojnë një makinë superluksoze AUDI A8, e tipit full option, 4000 kubikshe. Makina kishte targa të huaja (jo italiane, jo shqiptare). Në makinë ishin tre shqiptarë përkatësisht 29,24 dhe një i mitur 17 vjeç. Në makinë u gjetën edhe 6 celularë smartphone të tipit të fundit.

Në pamje të parë gjithçka ishte OK. Të tre shqiptarët kishin dokumenta të rregullta. Makina ishte gjithashtu me dokumenta të rregullta në pronësi të 29 vjeçarit. Të tre shqiptarët si profesionistë të vërtetë nuk tregonin asnjë shqetësim, madje tregoheshin shumë bashkëpunues dhe të mirësjelltë me financierët italianë. Gjithsesi financierët të bindur në saktësinë e informacionit vazhduan kontrollin total të makinës, të ndihmuar edhe nga dy qen antidrogë  Ughel dhe Pacat. Më së fundi bingo! Poshtë sediljes së prapme të makinës ishte sajuar një vend i fshehtë. Në të financierët gjetën 43 000 euro kesh dhe 2.3 kg kokainë në tre paketime. Kokaina me çmim pakice do kishte vlerën e 700 000 eurove.

Dy shqiptarët u arrestuan menjëherë, ndërsa i mituri iu nënshtrua masës së sigurisë detyrim paraqitje.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/