Qentë e rrugës kanë tejmbushur shëtitoren “Taulanta” dhe bulevardin "Dyrrah" në Durrës. Durrsakëve dhe turistëve që bëjnë shëtitje në një nga vendet më të frekuentuara në qytetin bregdetar, u shtohen edhe qentë e rrugës, që në çdo orë i gjen të pranishëm në shëtitore dhe rrugët kryesore.
Jo rrallë herë ndodh që i kap edhe tërbimi, dhe ju sulen njerëzve që u kalojnë afër. Ndërsa në raste të tjera qentë shtrihen sa "gjatë-gjerë" në rrugë, ndërsa qytetarët shmangen për të mos kaluar pranë tyre.
Sot ndërroi jetë një person i kafshuar pak ditë më parë nga një qen i rracës "pitbull" në Elbasan, ndërsa një tjetër u kafshua në Tiranë.
Në Durrës, vetëm prania e tyre pa sulmuar asnjë njeri largon pushuesit dhe shkakton mjaft frikë e panik mes qytetarëve.
DurrësLajm e ka ngritur shpeshherë këtë problematikë qytetare, por deri tani autoritetet nuk kanë gjetur zgjidhje. Rritja e temperaturave ndikon negativisht, pasi rrit mundësinë e tërbimit tek këta qen, që përbëjnë një rrezik potencial në çdo moment për qytetarët.
K.H.





