25 prill 2015 – Një shqiptare me bashkëshortin e saj rrezikojnë të dënohen me 15 vjet në burg, pasi dy qentë e tyre kanë shqyer për vdekje një 46-vjeçar në Detroit të Amerikës.
Valbona Lucaj, nga Shqipëria dhe bashkëshorti i saj Sebastiano Quagliata, me origjinë italiane, u përballën me trupin gjykues në SHBA, ku të pranishëm ishin dhe familjarët e të ndjerit.
Valbona Lucaj i kërkoi ndjesë familjes së viktimës Craig Sytsma, duke i thënë që i vjen shumë keq për këtë ngjarje.
Sipas prestigjiozes britanike “Daily Mail”, dy qentë e tyre të racës “cane corso”, e shqyen viktimën, ndërsa ai po vraponte. Qentë dolën nga kafazi dhe e kafshuan atë dhe pavarësisht ndihmës së fqinjëve për t’i larguar, viktima nuk arriti t’i shpëtonte plagëve. Gjatë ngjarjes një prej qenve u qëllua me armë, si një tentativë për ta ndalur.
Çifti, i cili jeton prej 18 vitesh në Miçigan, akuzohet për mbajtjen e qenve të rrezikshëm dhe pas dënimit me 15 vite burg, ata rrezikojnë edhe të deportohen.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/